Levizja Vetevendosje betohet mbi flamurin Kombetar

Levizja Vetevendosje betohet mbi flamurin Kombetar

Ne sot u betuam mbi flamurin kuq e zi. Lëvizja VETËVENDOSJE, në përputhje me programin e vet politik, nuk i njeh simbolet e imponuara, të cilat nuk i janë nënshtruar verifikimit nga populli. Synimi ynë po ashtu është që nëpërmjet punës e angazhimit tonë brenda dhe jashtë institucioneve, t’ia kthejmë popullit simbolet kombëtare. Vetëm me to populli identifikohet dhe ndjehet vetvetja. Ne konsiderojmë që simbolet kombëtare janë shumë të rëndësishme për historinë dhe ekzistencën e kombit, prandaj me to nuk mund të luhet. Betimin mbi flamurin tonë kombëtar e kemi obligim nga e gjithë përpjekja e deritashme e kombit shqiptar për liri, si dhe nga të gjithë ata që ranë pas betimit mbi këtë flamur. Amaneti i tyre vazhdon të na obligojë.

 

Kurse sa i përket tekstit të betimit, ai është në përputhje me programin tonë politik. Të gjitha fushat të cilat ai i prek (interesi i popullit, sovraniteti, integriteti territorial dhe kushtetutshmëria) janë synime programatike të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

 

Arsyet pse votuam kundër Jakup Krasniqit për kryetar të Kuvendit të Kosovës

 

Jakup Krasniqi ishte Ministër i Shërbimeve Publike, në kohën kur filloi procesi i decentralizimit në Kosovë. Më 20 korrik 2004 Jakup Krasniqi, së bashku me Drejtorin e Zyres së Çështjeve Politike të UNMIK-ut, rusin Petr Ivantsov, e nënshkruajtën draftin e parë njëzetfaqësh të decentralizimit. Ky proces pastaj evoluoi në atë që sot po e shohim: 5 komuna të reja me shumicë serbe, dyfishimi i territorit të Artanës përmes përfshirjes së fshatrave me shumicë serbe në të, krijimi në letër i komunës së Mitrovicës pas spastrimit etnik të kryer nga strukturat paralele të Serbisë atje.

 

Jakup Krasniqi e ka pranuar Planin e Ahtisaarit dhe si kryetar i Kuvendit të Kosovës i ka kontrabanduar simbolet e Kosovës që e mohojnë tërësisht historinë dhe përkatësinë kombëtare të shumicës së popullit të Kosovës; e ka kontrabanduar Kushtetutën e Kosovës e cila na e ndalon bashkimin me Shqipërinë, ligjet e planit të Ahtisaarit të cilat na ndajnë për së brendshmi dhe na e sipërvendosin një pushtet absolut sovran ndërkombëtar. Ai e përkrahu protokollin e EULEX-it me Serbinë. Jakup Krasniqi në Kuvendin e kaluar e ka përfaqësuar Qeverinë e Hashim Thaçit në Kuvend e jo Kuvendin përballë qeverisë.

 

Gjatë kohës së zgjedhjeve kur ndodih vjedhja dhe manipulimi masiv i votive të qytetarëve të Kosovës, Jakup Krasniqi ishte edhe ushtrues detyre i Kryetarit të Kosovës, por edhe kryetar në largim i Kuvendit të Kosovës. Asnjëherë nuk reagoi kundër vjedhjes e manipulimit deri në momentin kur iu vodhën edhe atij votat nga vetë PDK-ja. Pra, reagimi i tij ishte personal e jo parimor.

 

Edhe tash po na paraqitet një Jakup i njëjtë. Ai është shprehur i gatshëm t’i pranojë negociatat e vazhdueshme me Serbinë, si dhe ta pranojë privatizimin neoliberal të ndërmarrjeve publike në Kosovë, edhe përkundër qartësisë absolute politike për rrezikun e tyre. Kjo, prapë, e bën atë jo parimor. Prandaj votuam kundër.

 

Lëvizja VETËVENDOSJE! votoi kundër dy nënkryetarëve të Kuvendit që vijnë nga pakicat kombëtare në Kosovë, jo se kemi ndonjë gjë kundër pakicave, por për shkak se jemi kundër vendeve të rezervuara në të gjitha instancat e pushtetit në Kosovë, dhe pabarazisë që këto kushtëzojnë në politikën e Kosovës.

 


Lėvizja VETĖVENDOSJE!
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek