Antievropianizmi i papėrligjur nga Dorian Koēi

Antievropianizmi i papėrligjur      nga Dorian Koēi

Rreth njëzet vjet më parë nisi ëndrra evropiane e Shqipërisë. Ajo nuk ishte një lëvizje intelektuale e iniciuar nga lart-poshtë nga reformat e ndërmarra por ishte një shpërthim popullor që pas një izolimi të gjatë dhe të mundimshëm po përpiqej të rigjente vetveten brenda familjes evropiane. Duke qenë se Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara dhe që kish përqafuar një retorikë anti- evropiane përsa i zhvillimit ekonomik dhe institucioneve demokratike të saj,ndenja pro-evropiane në Shqipëri mori përmasat gati-gati të një “besimi” të ri. Gjithandej në fillim të viteve 90’ mund të gjeje “evropianistë të thekur” në të gjitha shtresat e shoqërisë dhe një besim të patundur se Shqipëria shumë shpejt do të ishte vend anëtar i Bashkimit Evropian. Ashtu si të gjitha lëvizjet shpirtërore dhe idealiste që kur fillojnë në fillim duhet të kundërshtojnë atë çka ka mbajtur peng dhe përkeqësuar situatën , edhe lëvizja evropiane në  filloi fillimisht duke rrëzuar idhujt e rremë që mbizotëronin në Shqipëri. Rrëzimi i statujës së diktatorit Enver Hoxha dhe thirrjet e brohorimat e duam “Shqipërinë si gjithë Evropa”, respektimi i një statuje tjetër aty, ajo e heroit kombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeut, njeriut që rreth 500 vjet më parë kish udhëhequr ëndrrën evropiane të shqiptarëve ishin sinjale të forta që vendi ish-komunist po e braktiste ishullin e vetmuar të socializmit dhe po përqafonte paradigmën e madhe të lirive humane dhe civile.

Ky entuziazëm i shqiptarëve gjeti dhe shprehjen e vet politike në pothuajse të gjitha programet e partive politike që u themeluan menjëherë pas shpalljes së pluralizmit politik. Integrimi evropian u bë dhe kryefjala e programeve qeveritare dhe nismave që ndërmori qeveria e parë shqiptare e vitit 1992. Mirëpo , jo më pak se një vit pas formimit qeverisë së parë demokratike shqiptare, Bashkimi Evropian në mbledhjen e vet në Kopenhagë më 21-23 qershor 1993 i preokupuar për tu dhënë një përgjigje aplikimeve që po merrte nga të gjitha vendet e ish-Lindjes komuniste, përcaktoi qartë kriteret politike dhe ekonomike që një vend duhet të plotësonte për tu anëtarësuar në këtë organizëm. Që nga ajo kohë kriteret e Kopenhagenit u bënë pjesë e fjalorit politik të diskutimeve midis qeverive të vendeve që aspironin të pranoheshin në këtë organizëm dhe Bashkimit Evropian. Në qeverisjet demokratike, që kanë si bazë transparencën si një nga parimet bazë të demokracisë liberale, qytetarët duhet të informohen për gjithçka që lidhet me ta dhe të ardhmen e tyre. Nuk e di sesa dhe sesi është perceptuar ndër qytetarët shqiptarë procesi i integrimit por ajo që dëgjohet rëndom nëpër biseda është avazi i një violine që ka filluar të shndërrohet në një orkestër.

Një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë kanë filluar të mendojnë se Shqipëria e meriton prej kohësh integrimin e plotë dhe se kriteret që kërkohen të plotësohen nga Bashkimi Evropian janë thjeshtë një alibi e këtij të fundit për ta vonuar këtë proces. Ky opinion tinëzar që shpesh herë në mënyrë të fshehtë është iniciuar dhe nga politika që në këto njëzet vjet nuk ia ka arritur qëllimit që të jetë në të njëjtin nivel dhe të politikave të vendeve të tjera që tashmë janë integruar, është një opinion i pabazë dhe i dëmshëm. Ai është i pabazë sepse qoftë dhe me një shikim të shpejtë të kritereve politike të Kopenhagenit mund të kuptosh se Shqipëria të paktën në dy nga pesë kriteret ka probleme serioze në stabilitetin e institucioneve, për të cilat të gjithë jemi dëshmitarë që jo vetëm kanë qenë shpesh herë në konflikt me njëri-tjetrin por dhe kanë qenë dhe të paralizuar si dhe me vënien në jetë të shtetit të së drejtës ku shpesh herë kemi parë të drejtat e dhunuara të qytetarëve si pasojë e korrupsionit të madh në drejtësi. Po kështu përsa i përket kritereve ekonomike, Shqipëria ka probleme në kapacitetin  e saj për të përballuar presionin konkurrues ekonomik të forcave të tregut në funksionimin e Bashkimit Ekonomik Monetar.

Antievropianizmi i papërligjur që shpesh herë ka filluar të zërë vend në opinionet e njerëzve nëpërmjet perceptimit të gabuar të kritereve të Kopenhagenit është i dëmshëm pasi krijon ndjenjën e frustrimit dhe të mënjanimit në diskursin e popullsisë. Bashkimi Evropian është dhe mbetet një nga partnerët dhe miqtë më të mirë të Shqipërisë që nëpërmjet ndihmës së vet ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në zbatimin dhe përmirësimin permanent të demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve në Shqipëri. Nëse kjo ndihmë është perceptuar veçse si një çezmë me “qumësht e mjaltë” që kurrë nuk shteron, ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të kuptojnë se plotësimi standardeve është rruga që të çon vërtetë tek burimi pa pasur nevojë që të vazhdojë akoma të pinë ujë çezme.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek