Kandidatja konsensuale e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së për presidente të Kosovës, Atifete Jahjaga edhe pse kohën e fundit mbante poste me rëndësi në forcat e rendit, deri më tani nuk ka qenë emër shumë i njohur për opinionin. Ajo është 35 vjeçare me prejardhje nga Gjakova dhe ka të mbaruar Fakultetin Juridik në Prishtinë. Është e martuar me mjekun Astrit Kuçin.
Si juriste e diplomuar, Atifetja karrierën e saj në polici e ka filluar si përkthyese, më pas police në departamentin e policisë kufitare, e pastaj në njërin nga departamentet më të rëndësishme të policisë, atë të trajnimit.
Edhe pse mediat kishin raportuar se në departamentin që ajo ka udhëhequr janë evidencuar shumë parregullsi, sidomos në çështjen e trajnimeve në Shkollën Policore në Vushtrri, aktualisht Jahjaga ka gradën më të lartë ndër pjesëtarët femra të policisë në Evropën Juglindore, atë të gjeneral-majorit dhe është zëvendësdrejtore e Policisë së Kosovës.
Mirëpo pavarësisht një pozite të rëndësishme në polici, Jahjaga nuk shquhet për jetë të pasur e luksoze. Ajo jeton me qira në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë dhe në formularin për deklarimin e prejardhjes së pasurisë, vitin e kaluar Jahjaga ka shkruar se nuk posedon paluajtshmëri, por vetëm një veturë në vlerë 6 mijë që e ka blerë nga kursimet.
Sidoqoftë gjatë punës së saj në polici Atifete Jahjaga ka kryer trajnime të shumta dhe më kryesoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo pas diplomimit në Fakultetin Juridik ka mbaruar edhe studimet në Universitetin e Mançesterit në Angli dhe tash vazhdon studimet e magjistraturës në shkencat kriminalistike në Prishtinë.
ShtypiDites, Kosovapress