Leksion Demokracie nga Dorian Koçi

Leksion Demokracie nga Dorian Koçi

Në romanin “Manastiri i Parmës”, shkrimtari i njohur francez  Stendal vë në gojën e njërit prej personazheve vlerësimin e tij për demokracinë amerikane duke e përcaktuar si “demokracinë e dyqanxhinjve dhe shitësve të cikërrimave”. Stendali arrinte në një përfundim të tillë që tingëllonte dhe disi denigrues për demokracinë e një shteti të madh, pasi në SH.B.A votimi ishte i barabartë për të gjithë popullsinë dhe kjo gjë sipas tij e dëmtonte rëndë demokracinë pasi jo të gjithë shtresat shoqërore duhet të kishin vota të barabarta. Edhe pse Stendali vinte nga një përvojë revolucionare si pjesëmarrës aktiv në Revolucionin Francez, për të vazhdonte të ishte ende e vështirë të pranonte se vota një pronari të vogël dyqani ishte po aq e barabartë sa dhe vota e një njeriu që mbante një titull fisnikërie. Por atë që dështoi ta kuptonte Stendali dhe që për një periudhë të gjatë kohe u bë dhe një nga problemet në demokracinë përfaqësuese evropiane, filozofi dhe politikani Alexis Tocqueville(1805-1859) do ta quante thelbin e demokracisë dhe në fjalimin e tij të famshëm në parlamentin francez por dhe veprën e vet “Democracy in America”­­(1835) do të profetizonte se SH.B.A dhe demokracia e saj përfaqësuese do të bëheshin modeli që do të ndiqnin dhe shtetet e tjera të zhvilluara.

Tashmë nuk ka asnjë dyshim se demokracia përfaqësuese mbështetet në votën e çdo njeriu, pavarësisht statusit, gjinisë apo prejardhjes shoqërore. Të gjitha shtetet evropiane e përqafuan si modelin më të mirë demokracinë përfaqësuese amerikane dhe pas rënies së Murit të Berlinit, ajo u bë dhe modeli për vendet ish-komuniste. Qytetarët shqiptarë patën fatin ta provojnë rëndësinë dhe vlerën e çdo vote në garën e fortë elektorale për Bashkinë e Tiranës. Leksioni sërish erdhi nga përtej Atlantikut, jo nga një filozof yni apo shqiptarë të emigruar në SH.B.A por prej vetë ambasadorit amerikan në Shqipëri z Aleksandër Arvizu që për një javë si vëzhgues, këshilltar por dhe pjesëmarrës i drejtë për së drejtë dhe si negociator në situatat përndezëse të zgjedhjeve shqiptare i dha oksigjenin e duhur një procesi që herë pas here dukej silur po mbytej. Këtë kontribut, z Arvizu nuk e dha nëpërmjet profilit të tij si ekspert duke qëndruar në zyrën e vet dhe pranë një laptopi, por drejtë për së drejtë në qendrat e votimit duke përshpejtuar dhe vëzhguar të gjithë procesin elektoral dhe aktorët që merrnin pjesë në të. Ky veprim ishte një mësim tjetër i madh ky për një klasë “ekspertësh”që ka filluar të vegjetojë në Shqipëri më tepër nëpër studio televizive duke shtuar dhe përshkënditur konfliktin në shoqëri e duke dhënë në këtë mënyre një kontribut negativ për mbarëvajtjen e demokracisë.

Por a ishte i domosdoshëm ky veprim i ambasadorit amerikan në Shqipëri dhe a do ta kryente këtë veprim nëse do të ishte i akredituar në vende të tjera? Për fat të mirë, një nga gjërat më pozitive që ka arritur klasa jonë politike është zgjedhja dhe afilimi i drejtë ndaj partnerëve të vet strategjik ku SH.B.A përbëjnë vendin më të rëndësishëm mik dhe aleat për Shqipërinë. Gjatë gjithë kësaj kohe Shqipëria e ka ndjerë interesimin dhe përkrahjen amerikane si në rastin e pranimit të Shqipërisë në NATO, shpalljen e pavarësisë së Kosovës apo dhe garancitë e duhura ndaj shteteve evropiane për një integrim të shpejtë të saj në familjen evropiane. Ndaj, duke ndjekur këtë logjikë ishte afër mendjes që SH.B.A nëpërmjet përfaqësuesit të tyre të ndërhynin dhe të mundoheshin të jepnin maksimumin për të mos u shkatërruar një proces që garanton demokracinë në vend. Ajo që duhet të bëjë të skuqet klasën politike shqiptare është fakti se pse pas njëzet vjetësh demokraci liberale, ajo nuk ishte e aftë të realizonte një proces të ndershëm, jo paragjykues dhe të shpejtë zgjedhor. Ndihma që dha kësaj radhe z Arvizu besoj se duhet të jetë një ndihmë që duhet të bëjë të mundur për të pasur një fillim të ri në demokracinë që ushtrohet në vendin tonë. Kjo do ti jepte një frymëmarrje më të madhe vendit dhe do të na bënte partnerë të besueshëm për aleatët tanë strategjikë. Z Arvizu, si asnjë tjetër ambasador amerikan në Shqipëri do të mbahet mend gjatë në memorien politike të Shqipërisë si njeriu që përmes prakticitetit të zakonshëm amerikan dha një leksion të madh klasës sonë politike. Leksioni politik që mori klasa jonë politike duhet të fillojë nga përmirësimi moral i saj duke bërë të mundur që të vlerësojë e lexojë drejt çdo votë në Shqipëri në mënyrë të tillë që demokracia përfaqësuese të fillojë të triumfojë vërtetë në Shqipëri.


ShtypiDites, Autori
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek