Ndryshimi i elitave nga Dorian Koçi

Ndryshimi i elitave nga Dorian Koçi

Humbja në Ballkan shoqërohet me poshtërimin. Nuk e di se nga mund të ketë lindur kjo praktikë ,por nëse hedh sytë në të kaluarën vëren shumë raste të denigrimit të fitores nga një festë e përgjithshme që duhet të ishte në një maskaradë poshtëronjëse. Energjitë e mira dhe pozitive të emocioneve të brishta të fitores shumë i shpejt i lënë vendin cinizmit dhe sarkazmës ironike ndaj kundërshtarit. Sigurisht që është e natyrshme që emocionet e fitores të krijojnë një gjendje deliri dhe entuziazmi, por është e patolerueshme që në situata të tilla që marrin zjarr lehtë në Ballkan, këto emocione të manipulohen dhe të krijojnë situata të pakëndshme për gjithë qytetarët. Ky lloj perceptimi i tillë i fitores , në fakt shërben në drejtim të kundërt të asaj se çfarë në të vërtetë presupozohet të ishte afirmimi i një fitoreje. Më shumë se një triumf i një programi dhe një ideje i përngjan një platforme shkatërrimi dhe përmbysjeje për palën tjetër. Ky arsyetim , sigurisht që çon ujë në mullirin e eliminimit të së kundërtës, të mospajtueshmërisë me të kundërtën dhe që nostalgjikëve mund t’iu kujtoj materializmin dialektik por qytetarëve të sotëm, për fat të keq u kujton përleshjen e ethshme të politikës në Shqipëri. Por a është e ndershme që të luhet me emocionet politike të njërës apo tjetrës palë? A është ky një mentalitet evropian i një klase politike evropiane? Nëse hedhim sytë rreth e përqark në Ballkan do të shikojmë se asnjë shtet tjetër që edhe pse mund të kenë kaluar përmes konflikteve etnike nuk është parë kaq konflikt dhe mospërputhje sociale në shoqëri sa në Shqipëri. Po kështu për një kohë të gjatë, të paktën që pas viteve 2000 nuk është parë në këto vende përplasje personale mes liderëve politikë që mbartin në vetvete përplasje dhe mërija personale sesa grindje për shkak kauzash dhe platformash politike. Dhe kjo gjë ka ardhur , jo për shkakun se popujt dhe liderët e tjerë ballkanikë nuk kanë kolorit të fuqishëm karakteri si liderët tanë por sepse në mënyrë të natyrshme në këto vende është bërë shndërrimi i elitave kulturore dhe politike. Në Shqipëri për fat të keq kjo dukuri është frenuar dhe prurjet e reja në politikë i përngjajnë më tepër liderëve të tyre partiakë që i kanë promovuar sesa kanë rajëvizuar individualitete të veçanta. Kjo duket qartë se debati politik udhëhiqet vetëm nga liderët e vjetër dhe nuk ka asnjë iniciativë për ç’tensionimin e situatës që mund të vinte nga politikanët e rinj.

Për fat të keq  situata në të cilën përballet Shqipëria, nuk mund të jetë produkt faji i njërës palë, pasi në këtë lloj mënyre do të ishte shumë më e lehtë për t’i zgjidhur gjërat. Aq më tepër dhe miqtë tanë ndërkombëtarë do ta kishin më të lehtë për të identifikuar fajtorët dhe jo të trullosnin sot opinionin publik shqiptar me fjalë të përgjithshme dhe me kumt gjasme asnjanës dhe që u jep mundësi të gjithë spektrit politik ti analizojë sipas dëshirës. Një përplasje e tillë e madhe kërkon dhe negociatorët dhe njerëzit e vet. Për më tepër së dy vjet , partnerët tanë ndërkombëtarë na ka lënë në dorën tonë që të zgjidhim krizën, të maturohemi e të marrim përgjegjësitë tona për integrimin e vendit. Edhe pse ky arsyetim në dukje është i pranueshëm, në fakt ai ka rezultuar i gabuar. Duam apo nuk duam ne sot ta pranojmë, faktori dhe klasa politike shqiptare është treguar e paaftë që të negociojë mes vetes dhe aq më tepër të bëjë kompromis. Për fat të keq nuk kemi vërejtur një angazhim serioz të saj për të kapërcyer krizën por në të kundërt është vërejtur nxitja e debateve të vogla për të fituar kohë dhe gjasme për t’ia lënë zgjidhjen të nesërmes. Mirëpo kjo shtyrje kohë pas kohe e problematikës dhe thelbit të debatit në fakt ka shërbyer për të mbajtur ndezur për një kohë gjatë jonizimin e situatës, gjë që e kemi parë dhe në shkarkime emocionale të mëdha pa marrë parasysh pasojat. Por a meritojnë sot shqiptarët në shekullin e XXI që të mbeten peng të politikave të tilla? Sigurisht që jo, por natyrisht që  nuk mjafton që kjo gjë vetëm të artikulohet por kërkohet që të ketë ndryshim dhe në perceptimin e situatave të tilla konfliktuale. Marrëdhëniet e brezit të ri dhe brezit të vjetër të politikanëve duhet ta braktisin modelin Faustian të paktit me Mefistofelin për të fituar rininë, por të fillojnë një reformim të vetë partive politike shqiptare ku vlerat demokratike të zgjedhjeve të lira vetë brenda tyre të bëhen model dhe për shoqërinë. Nëse politika shpesh herë për shkak të kompleksitetit të saj krahasohet si det i madh ku derdhen të gjitha pasionet politike ka ardhur koha që notarët profesionistë të mësojnë dhe zhytjen sepse problemet gjenden shumë thellë brenda organizimeve të tyre partiake dhe pastaj të fillojnë të notojnë sërish në sipërfaqe.


ShtypiDites, Autori
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek