Krizat Greke - nga Dorian Koçi

Krizat Greke -    nga Dorian Koçi

Në fund të shekullit të XIX , një i sëmurë lëngonte në Lindjen e Afërt. Perandoria Otomane pas një lulëzimi prej rreth katër shekujsh po shuhej ngadalë-ngadalë. Në kokë i qëndronin tre kreditorët më të mëdhenj të saj, Perandoria Britanike,Republika Franceze dhe Perandoria Gjermane. Si çdo ceremoni varrimi që po përgatitej,ajo kërkonte që të kishte dhe një prift që të bënte shërbimet  dhe ti besoheshin dëshirat e fundit të të sëmurit. Edhe pse prania e një prifti mund të përbënte një paradoks më vete pasi Perandoria Otomane ishte një perandori që kishte fenë islame si fe zyrtare të saj,gjithsesi kushtet nuk i vendoste më “I sëmuri Bosforit”,por kreditorët e fuqishëm të saj. Duke qenë se për një kohë të gjatë otomanët kishin besuar në forcën e shpatës dhe të pushtimeve të tyre të pafund,ata nuk i kishin kushtuar rëndësi rendit të ri që kish lindur dhe sidomos institucionit të bankave që i përfaqësonte më së miri këtë rend. Mirëpo mbarimi i pushtimeve dhe administrimi i vendeve të pamat që zotëronin,jeta luksoze e Orientit dhe dëshira për të vazhduar për të qenë pjesë e Koncertit Evropian të Fuqive të Mëdha,i kishin detyruar otomanët që ti kthenin sytë nga Perëndimi për të përshtatur rendin e ri në administratë,ekonomi dhe në legjislacion. Sikur kjo gjë të kish ndodhur dy shekuj më parë dhe çka është më e rëndësishme sikur të mos ishte shoqëruar me paragjykime në momentin që u ndërmor ndoshta Perandoria Otomane do të kishte hyrë në një proces serioz reformimi. Gjithsesi në histori ngjarjet nuk janë me “sikur”, ato ndodhin dhe nuk mund të kthehen mbrapsht. Realiteti në fund të shekullit të XIX,tregonte që shumica e shtetasve të   “sëmurit të Bosforit” nuk kishin mundur dot të përshtateshin në rendin e ri duke ia lënë këtë gjë një pakice që në saj të pushtetit të parasë po përftonte po rigjallërohej. Përfaqësuesi administrativ,ligjor e politik i kësaj pakice, Patriarku i Kostandinopojës dhe Helenizmi-ideologjia politiko-filozofike që përfaqësonte elementin më të rëndësishëm politik në Lindjen e Afërme në fakt ishin kthyer në priftin që po bënte shërbesat e fundit Perandorisë Otomane.

Këtë rol Helenizmi,sigurisht nuk e kish fituar vetëm në bazë të aktivitetit tregtar të pakicës greke në Perandori, por sepse në fillim të shekullit të XIX gjithandej nëpër Evropë kish lulëzuar një rrymë dashamirëse ndaj qytetërimit antik grek i quajtur Filo-Helenizëm, pjesëtarë të  cilës kishin qenë disa nga mendjet më të ndritura të Evropës,si Bajroni,Shatobriani,Shelli,Delakrua etj. Edhe pse shpesh herë ata i shikonin grekët e sotëm si hije mjerane të së shkuarës, ndjenja dhe sentimenti i kish pushtuar dhe kishin vënë si synim të jetës së tyre restaurimin e shkëlqimit të vjetër të Greqisë antike. Kësaj rryme i ishte shtuar dhe interesi gjeostrategjik i Fuqive të Mëdha për rrugët e Lindjes, arsye të mjaftueshme këto që shtetit të porsaformuar grek ti faleshin dy kolapse të mëdha ekonomike që kishin ardhur si rezultat i keqmenaxhimit dhe shpërdorimit të fondeve që Fuqitë e Mëdha evropiane i kishin dhënë Greqisë për tu rimëkëmbur pas përfitimit të pavarësisë nga Perandoria Otomane.

Por mos na tingëllon ky argument si shumë i afërt? A nuk na duket se po të dëgjojmë diçka të njohur? A nuk është pothuajse e njëjta situatë ku Greqia rrezikohet që të falimentojë pasi sërish ka abuzuar me shifrat dhe ndihmën e përftuar nga Bashkimi Evropian. Po, fare lehtë nëse hedh sytë në të përditshmet evropiane mund ta konstatosh menjëherë këtë fakt. Greqia po falimenton dhe nëse Bashkimi Evropian nuk e ndihmon për të dalë nga kolapsi gjërat do të shkojnë keq e mos më keq. Mirëpo kjo situatë, e cila për evropianët e thjeshtë mund të tingëllojë një histori e ngjashme me atë të njerëzve që janë në vështirësi ekonomike dhe po falimentojnë dhe që natyrisht mund të ndjellë dhe keqardhje, në fakt në Ballkan përjetohet ndryshe. Ajo përjetohet si poshtërim i merituar i Greqisë dhe në këtë ndjenjë që mund ta shohësh në site maqedonase, turke, shqiptare e bullgare në fakt zbulohet një pjesë e historisë së afërme të Ballkanit. Për shkak të kapardisjes së zakonshme ballkanike, Greqia për një periudhë mëse 20 vjeçare pas ndryshimeve në ish- Lindjen komuniste duke qenë vendi i vetëm anëtar i Bashkimit Evropian dhe duke shfrytëzuar dëshirën e të gjithë vendeve të rajonit për tu anëtarësuar në B.E nëpërmjet presioneve shantazheve herë të hapura e herë të kamufluara është munduar që të plotësojë një për një platformën e vet nacionaliste që se skish mundur ta plotësonte më parë në këmbim të votës së saj pro për anëtarësim të këtyre shteteve. Edhe pse kjo gjë mund të tingëllojë e çuditshme për një vend anëtar të Bashkimit Evropian për të cilët platforma të tilla ngjajnë si relike historike të së shkuarës, faktet tregojnë se idetë e mëdha kur vinë në Ballkan fillojnë dhe ballkanizohen.

Marrëdhëniet e tensionuara me Turqinë, çështja e emrit të Maqedonisë dhe debatet e vazhdueshme për kufijtë detarë dhe regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, janë disa nga episodet e një seriali që ka nisur një shekull më parë pas përfitimit të pavarësisë së Greqisë dhe që nuk dihet se kur do përfundojë. Një nga viktimat e kësaj politike bizantine nga ana e Greqisë  ka qenë Shqipëria që si rezultat i qeverisjes së dobët, integrimin e vet e ka kërkuar më tepër në kompromiset nacionaliste me Greqinë sesa në perfomancën e vet qeverisëse. Kërkimet e fundit për naftë dhe gaz në detin Jon nga ana e shtetit grek duke shpërfillur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë që e nxori të pavlefshme marrëveshjen detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, tregojnë se mentalitetet e vjetra mbizotërojnë në politikën greke edhe në kohë krize. Greqia, do të dalë nga kriza monetare pasi Bashkimi Evropian nuk do të lejojë një vend të eurozonës të falimentojë, por në radhë të parë ajo duhet të dalë nga krizat spirale nacionaliste që ka ngritur në Ballkan për ti dhënë një frymëmarrje evropiane rajonit. Në fakt, koj gjë ka qenë dhe pritshmëria më e madhe e Evropës ndaj Greqisë kur e pranuan në Bashkimin Evropian,ndaj kushtet ekonomike të vëna për përfitimin e paketave financiare për të dalë nga kriza ekonomike duhen shoqëruar dhe me kushte politike për të dalë nga kriza e vet nacionaliste. Me pak fjalë zbatim të kritereve të Kopenhagenit, që Greqisë nuk i ra për pjesë ti plotësonte, evropianizim të vërtetë të rajonit.


ShtypiDites, Autori
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek