PRAGĖ - PARTIA NĖ PUSHTET KĖRKON REFERENDUM PĖR EURON

PRAGĖ - PARTIA NĖ PUSHTET KĖRKON REFERENDUM PĖR EURON

 Partia ODS e kryeministrit çek, Petr Necas, bëri thirrje për organizimin e një referendumi mbi miratimin e euros, gjatë një kongresi në Pragë të këtij formacioni të djathtë.
     "ODS kërkon që vendimi për një futje të mundshme të monedhës së përbashkët dhe anëtarësimi në mekanizmin europian të stabilizimit të merret nga qytetarët e Republikës Çeke", thuhet në një rezolutë të miratuar nga kongresi.
     "Kushtet në të cilat qytetarët vendosën në vitin 2003, përmes një referendumi, anëtarësimin në BE dhe angazhimin e vendit për futjen në euro, kanë ndryshuar ndjeshëm", sipas tekstit.
     Më pak se një në katër çekë (22 për qind) është pro zëvendësimit të koronës çeke me euron, sipas një sondazhi të realizuar në fillim të vitit 2011.
     I emëruar në krye të qeverisë çeke në korrik 2010, Petr Necas, ka deklaruar disa herë se kabineti i tij nuk do të caktonte një datë për anëtarësim në euro gjatë mandatit të tij që përfundon në vitin 2014.
     Sipas tij, unioni monetar është duke u shndërruar në një union transfertash dhe borxhi.
     "Projekti i euros ka pësuar ndryshime të mëdha në krahasim me gjysmën e parë të dekadës që u mbyll", vlerësoi ai gjatë një takimi së fundmi në Pragë me kryeministrat e Grupit të Vishegradit (Hungari, Poloni, Sllovaki, Republika Çeke).
     Nga ana tjetër, partia e tij, ODS, (Partia Demokratike Qytetare), e themeluar në vitin 1991 nga presidenti aktual euroskeptik, Vaclav Klaus, kritikoi një ditë më parë edhe politikën europiane të migracionit.
     "Përpjekjet për unifikimin e politikës së migracionit të BE-së janë të papranueshme. Zbatimi i kësaj politike është vetëm kompetencë e qeverive kombëtare", thuhet në rezolutën e kongresit të ODS.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek