ANALIZË - A MUND TA SHMANGË OBAMA NJË KATASTROFË ARABO-IZRAELITE

ANALIZË - A MUND TA SHMANGË OBAMA NJË KATASTROFË ARABO-IZRAELITE

 Koha për Izraelin dhe palestinezët po mbaron. Barak Obama mund të jetë presidenti i fundit amerikan që ka mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, që do të çonte në ngritjen e një shteti palestinez përkrah atij izraelit, e ashtuquajtura zgjidhje me dy shtete. 
Nëse kjo nuk arrihet, atëherë një brez tjetër do të mbetet i mbërthyer mes gjakderdhjes dhe konfliktit. Ky është një skenar i ftohtë i hartuar nga dy ekspertë të lartë amerikanë të Lindjes së mesme në një libër të ri "Rivendosja e ekuilibrit,  një Strategji e Lindjes së Mesme për presidentin e ri". Ai është produkt i një studimi  të përbashkët 18-mujor  nga Qendra Saban për Politikat e Lindjes së Mesme në Institutin Brookings dhe Këshilli për Marrëdhëniet e Jashtme, dy shtylla të institucioneve të politikës së jashtme amerikane.   
Autorët e kapitullit mbi konfliktin arabo-izraelit, Steven A. Cook dhe Shibley Telhami, e konsiderojnë përfshirjen amerikane në diplomacinë e paqes si të domosdoshme dhe thanë se zgjedhjet presidenciale të muajit të shkuar kanë hapur mundësi të reja. Por ata vërejnë se pas vitesh të tëra negociatash të pasuksesshme, ka një ndjenjë mosbesimi në rritje  lidhur me mundësinë e një marrëveshjeje paqësore. 
"Akoma më shqetësuese, një numër në rritje intelektualësh arabë dhe palestinezë po e braktisin idenë e një zgjidhjeje me dy shtete dhe po mbrojnë tashmë zgjidhjen me një shtet, në të cilin hebrenjtë dhe arabët të bashkëjetojnë në një shtet dykombësh. Në Izrael, një rrjedhë e  përgjithshme po argumenton tashmë se një zgjidhje me dy shtete është e paarritshme...". 
"I lenë në trajektoren e tij të zakonshme, konflikti arabo-izraelit është buzë kalimit në një fazë potencialisht shkatërrimtare, në të cilin izraelitët dhe arabët po besojnë gjerësisht se zgjidhja me dy shtete nuk është më e vlefshme", thonë autorët. Pasoja të mundshme të këtij besimi  përfshijnë një intifadë të tretë palestineze (kryengritje), një shpallje të njëanshme të pavarësisë nga palestinezët dhe një kolaps të Autoritetit Palestinez. 
Hamasi, lëvizja  islamike që kontrollon Gazën dhe po e rrit influencën e saj në Bregun e pushtuar Perëndimor, që drejtohet nga rivali i saj Fatah, mund të forcohet. 
Për të parandaluar pasojat më të skajshme që ata parashikojnë, autorët thonë se administrata e re amerikane duhet t'i japë prioritet të lartë diplomacisë së paqes dhe të ndryshojë politikat në aspektet kyç. Presioni ndaj  Izraelit për të bllokuar ngritjen e kolonive është i pari në listën e tyre. Po kështu është edhe përfshirja e Hamasit në bisedime si pjesë e një qeverie uniteti (Deri tani, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e kanë etiketuar Hamasin si grup terrorist që nuk mund të konsiderohet si partner në negociata).  
Pra, a mundet të bëjë Obama gjithçka që është e nevojshme për t'i dhënë fund rrugës pa krye? Është e vetmja alternativë ndaj një zgjidhjeje të rinovuar me dy shtete, dhe gjakderdhjes në shkallë të gjerë?   
NUK KA SHENJA MENDIMESH TË REJA NGA OBAMA
Ndërsa Obama ka qenë kritik ndaj politikës së mosndërhyrjes në konfliktin izraelito-palestinez në shtatë vitet e para të administratës Bush, duke i konsideruar përpjekjet e tij si "udhëtime që konsistonin në diçka më shumë se mundësi  për të bërë fotografi", presidenti i zgjedhur nuk ka treguar asnjë shenjë se mund të ketë vullnetin e shkëputjes nga politikat e vjetra disa dhjetëvjeçare, që kanë bërë që SHBA-ja të fitojë në botën arabe reputacionin se mbështet  Izraelin  pavarësisht nga gjithçka. 
A do të përdorte, për shembull Obama, kërcënimin e tërheqjes së mbështetjes financiare amerikane për ta detyruar Izraelin të ndalojë ndërtimin e kolonive të reja në Bregun Perëndimor, ku tashmë ka 240 000 kolonë izraelitë, apo të shkatërrojë ato ekzistuese? Nuk ka të ngjarë. A do ta përdorë ai peshën e tij për t'iu përgjigjur thirrjeve për t'i dhënë fund bllokadës ekonomike të Izraelit ndaj Gazës? 
A do ta "pranojë ai se fuqia e  Hamasit rrjedh nga një mbështetje reale mes një segmenti të rëndësishëm të publikut palestinez...? " siç i sugjerohet nga  raporti i Brookings/Këshilli për Marrëdhëniet e Jashtme. Nuk ka asgjë në deklaratat e tij publike që të tregojë se po, dhe nuk ka asnjë të dhënë se ka ndërmend të distancohet nga politikat e vjetra amerikane ndaj konfliktit.  
Kjo përfshin edhe idenë e dy shteteve. Ajo që bie në sy në analizën e Brookings/CFR është shqetësimi që ata shprehin se në mungesë të një zgjidhjeje paqësore, elitat sekulare do t'i kthejnë shpinën  nocionit të një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe Gaza dhe në vend të tij do të zgjedhin një shtet (Izraeli, Bregu Perëndimor dhe Gaza) në të cilin arabët dhe hebrenjtë janë të barabartë. Për dekada të tëra, ideja e një shteti ka qenë e rezervuar për një grusht aktivistësh hebrenj të ekstremit të majtë  dhe aktivistësh palestinezë. Fakt është se tani ai po kthehet në  rrymë të përgjithshme dhe po fiton terren.  
Një nga idhtarët më të zhurmshëm të kësaj ideje është Ali Abunimah, një aktivist amerikano-palestinez dhe autor i librit "Një shtet: Një propozim i guximshëm  për t'i dhënë fund impasit izraelito-palestinez". "Të gjitha bisedimet për një zgjidhje me dy shtete, të gjitha iniciativat diplomatike janë të shkëputura nga realiteti se çfarë po bën Izraeli në terren", thotë ai. "Një shtet palestinez kërkon heqjen e kolonive dhe kjo nuk ka të ngjarë të ndodhë".  
Pjesa më e madhe e izraelitëve e hedhin poshtë nocionin e një shteti për të gjithë, kryesisht për arsye demografike. Për shkak të përqindjes së lartë të lindshmërisë tek palestinezët, hebrenjtë izraelitë do të jenë në minorancë pas dy vjetësh, nëse vazhdon ritmi aktual. Në dhjetor të 2007-ës hebrenjtë izraelitë përbënin vetëm 48 për qind të popullsisë në zonën  ku do të krijohej një shtet, ndërsa palestinezët 46 për qind. 
Abunimah, një bashkëthemelues i Intifadës Elektronike, një faqe interneti kritike ndaj politikave amerikane dhe izraelite, ka diçka të përbashkët me shumë ekspertë të moderuar të Brookings dhe Këshillit për Marrëdhëniet e Jashtme. "Zgjidhja e konfliktit izraelito-arab kërkon një vare", thotë ai . "Dhe jo një bisturi".  
Duke i bërë jehonë idesë të urgjencës, në raportin e Brookings thuhet: "Koha për marrëveshje graduale ka kaluar".


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek