Emri i Maqedonisë, takimi i radhës më 16 janar

Emri i Maqedonisë, takimi i radhës më 16 janar SHKUP - Ndërmjetësi special i OKB-së për çështjen e emrit, Metju Nimiç ka thirrur takimin e radhës midis palëve negociatore maqedonase dhe greke për kontestin e emrit të Maqedonisë.

Mediat në Shkup bëjnë të ditur se Nimiç ka informuar se takimi do të zhvillohet më 16 dhe 17 janar në selinë e OKB-së në Nju Jork, ku janë ftuar negociatorët Zoran Jolevski dhe Adamantios Vasilakis. Mësohet se të dyja palët negociatore i janë përgjigjur pozitivisht këtij takimi.

Ndërmjetësi Nimiç do të zhvillojë takime të ndara me palët negociatore dhe më pas do të tentojë që të gjejë një qasje të pranueshme të përbashkët për t’i dhënë një impuls të ri procesit të negociatave dhe të arrihet progres gjatë këtij procesi.

Në rast se do të takohen pala greke dhe ajo maqedonase, atëherë ky do të jetë takimi i parë pas vendimit të Gjykatës së Hagës lidhur me emrin e Maqedonisë. Takimet e fundit për emrin u zhvilluan në shtator të vitit të kaluar.


http://www.balkanweb.com/rajoni/2687/emri-i-maqedonise-takimi-i-radhes-me-16-janar-78130.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek