
ATHINË- Bisedimet që Greqia po zhvillon me sektorin privat për fshirjen e një pjese të borxhit të saj ka shumë mundësi të vazhdojnë të mërkurën e ardhshme, bëri të ditur sot një burim qeveritar në përfundim të një takimi me të dy palët tek kryeministri në Athinë.
"Mbeten ende disa detaje për t'u zgjidhur", shtoi i njëjti burim, në përfundim të një takimi prej një orë e gjysmë mes Papadhimos, ministrit grek të Financave Evangjelos Venizelos dhe Charles Dallara, kreu i lobit bankar botëror IIF (Institute of International Finance).
Pas takimit të parë zhvilluar dje, IIF që përfaqëson kreditorët privatë të Greqisë u shpreh në një komunikatë "se tashmë koha është e numëruar" për zhvillimin me sukses të operacionit, që mendohet të sigurojë me kohë shpëtimin e Greqisë duke ulur borxhin e saj në 120 për qind të PBB-së në 2020 nga më tepër se 160 për qind që është aktualisht.
Sipas shtypit të sotëm grek, bisedimet kanë ngecur veçanërisht në përqindjen e interesit të kërkuar nga bankat dhe të vlerësuara si tepër të larta nga pala greke.
Megjithatë, një zyrtar i lartë grek i cili preferoi të mbetej anonim shprehur një optimizëm të matur, duke deklaruar se "Greqia mund t'ia arrijë pas një jave të mbyllë skemën përfundimtare financiare për një marrëveshje me sektorin privat".
http://www.balkanweb.com/rajoni/2687/ngecin-bisedimet-me-sektorin-privat-per-borxhin-grek-78979.html