Serbët mund të “shfuqizojnë ose shtyjnë” referendumin

Serbët mund të “shfuqizojnë ose shtyjnë” referendumin BEOGRAD-Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e katër komunave të veriut të Kosovës.

Pas bisedimeve, i ashtuquajturi kryetar i Mitrovicës së veriut, Kërstimir Pantic, ka paralajmëruar mundësinë që “pushteti lokal të rishikojë vendimin për mbajtjen e referendumit në veri të Kosovës”.

“Ne nuk duam të sjellim asnjë vendim që do të ishte në kundërshtim me interesat shtetërorë dhe kombëtarë. Nëse dëshmohet se shtyrja e referendumit do të sillte progres dhe do t’i lehtësonte pozicionin Qeverisë dhe presidentit Boris Tadic, jemi të gatshëm të bisedojmë edhe për lëvizjen e datës”, ka thënë Pantic për mediat serbe.

Sipas tij, vendimin për mbajtjen e referendumit e kanë sjellë kuvendet komunale dhe “vetëm ato mund ta shfuqizojnë ose ta shtyjnë”.

Nga ana tjetër, Bogdanovic shprehet se, në këtë moment, është e panevojshme mbajtja e referendumit në veri të Kosovës. Ai ka theksuar “rëndësinë e koordinimit ndërmjet përfaqësuesve serbë të veriut dhe Qeverisë së Serbisë”.

“Referendumi i veriut” është paralajmëruar të mbahet në Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposavic, më 14 dhe 15 shkurt.

Me të, siç është thënë, synohet të qartësohet vullneti i serbëve për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit.
http://www.balkanweb.com/rajoni/2687/serbet-mund-te-shfuqizojne-ose-shtyjne-referendumin-79499.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek