
BUKURESHT- Rreth 7 000 persona, sipas xhandarmërisë, marshuan sot në Bukuresht për të kërkuar dorëheqjen e presidentit rumun Traian Basesku, të cilin e akuzojnë se e ka zhytur vendin në varfëri, njoftoi një gazetare e AFP-së.
Manifestuesit, militantë dhe simpatizantë të opozitës të ardhur nga të gjitha rajonet e vendit, thërrisnin "Poshtë Basesku", "Dorëheqje" ose edhe "Mos kini frikë, Basesku do të bjerë". "Njerëzit janë të zemëruar, sepse kanë humbur vendin e punës, u kanë shkurtuar pensionin, ata ndihen të poshtëruar", deklaroi përpara turmës njëri prej dy kryetarëve të Bashkimit Socialdemokrat, USL, e opozitës, Victor Ponta.
Ky manifestim, i organizuar nga opozita, ndodh një javë pas fillimit të kësaj proteste të gjerë të shkaktuar nga dorëheqja e detyruar e themeluesit të shërbimit të urgjencës, Raed Arafat, pas një konflikti me Baseskun lidhur me një projektreformë në shëndetësi. Pavarësisht rikthimit në punë të hënën të Arafat, manifestimet vazhduan në Bukuresht dhe në dhjetëra qytete, pasi protestuesit kërkonin gjithashtu largimin e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas xhandarmërisë, mijëra persona manifestuan të njëjtën kohë në disa qytete, përfshirë dhe rreth 300 manifestues në Sheshin e Universitetit në Bukuresht, që është bërë epiqendra e protestës kundër pushtetit.
http://www.balkanweb.com/rajoni/2687/rumani-protesta-kunder-presidentit-basesku-79503.html