
ZAGREB- Kroatët votojnë sot lidhur me atë se a dëshirojnë që vendi i tyre t’i bashkohet Bashkimit Europian në vitin 2013.
Sondazhet sugjerojnë se shumica e kroatëve do të votojnë “pro” bashkimit të vendit në BE. Ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiç i inkurajoi të gjithë kroatët që të marrin pjesë në referendum, duke thënë se pranimi në BE do tu ofrojë të gjithë kroatëve siguri.
Por rreth 1000 kundërshtarë të anëtarësimit të Kroacisë në BE protestuan dje në Zagreb, duke u përleshur më vonë me policinë. Protestuesit, shumica prej të cilëve nacionalistë, veteranë të luftës e protestues të krahut të djathtë, provuan ta largonin një flamur të Bashkimit Evropian.
Policia arrestoi tre persona, ndërsa njoftohet se disa protestues u plagosen. Vitin e kaluar Kroacia nënshkroi një marrëveshje me Bashkimin Europian për t’u bërë vendi i 28-të anëtar i këtij blloku, në korrik të vitit 2013.
http://www.balkanweb.com/rajoni/2687/kroatet-votojne-sot-per-anetaresimin-ne-be-79693.html