
SHKUP- Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku deklaron se marrëdhëniet ndëretnike mbeten problem madhor për Republikën e Maqedonisë.
Këtë koment ambasadori shqiptar e bëri pas takimit që pati sot në Shkup me zv/kryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferri.
“Ndamë pikëpamjen e përbashkët se krahas progresit që është bërë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ende ka punë për tu bërë, kryesisht në fushën e rritjes së besimit reciprok, përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe bashkimin e energjive për integrimin euro-atlantik të Maqedonisë”,- theksoi Çejku.
Ambasadori Çejku nënvizoi nevojën e marrëveshjeve themelore midis Shqipërise dhe Maqedonisë, siç është marrëveshja për lëvizjen pa pasaporta, e cila duhet të procedohet në parlament, por edhe cësthje të tjera që kanë ë bëjnë me menaxhimin e territoreve ujore midis palëve, raporton INA.
Në takimin midis dy zyrtarëve të lartë ëshë diskutuar edhe për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe angazhimit të festimit të kësaj dite të shënuar për shqiptarët kudo që ndodhen.
“Gjatë këtyre 100 vjetëve Shqipëria ka dhënë një kontribut për paqen lirinë stabilitetin dhe integrimin euro-atlantik të Ballkanit. Me këtë rast ftoj të gjitha institucionet, jo vetëm qeveritare por edhe jo-qeveritare të bashkojnë kontributin e tyre në vlerësimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe të bashkojnë kontributin e tyre për një vizion të përbashkët të Ballkanit perëndimorë”, shtoi diplomati shqiptar.
Zv/kryeministri Xhaferri nga ana e tij bëri të ditur se festa e flamurit shqiptar do të organizohet edhe në Maqedoni, ndërsa aktivitetet do të koordinohen me Republikën e Shqipërisë.
http://www.balkanweb.com/rajoni/2687/cejku-ne-maqedoni-te-permiresohen-marredheniet-nderetnike-80362.html