
SHKUP - Prej disa ditësh, Maqedonia është përfshirë nga tensionet kryesisht mes myslimanëve dhe të krishterëve ortodoksë në këtë vend.
Sipas “Associated Press”, shkak i këtyre incidenteve duket se kanë qënë karnavalet e 13 janarit në fshatin Vevcani të Maqedonisë, kur disa persona të krishterë ortodoksë u veshën me ferexhe të grave myslimane, duke u konsideruar si ofendim për myslimanët në Maqedoni, të cilët reaguan me zemërim.
Kaq mjaftoi që vandalët të merrnin në shënjestër një kishë ortodokse dhe një xhami myslimane historike në vendin fqinj.
Policia tha dje se një Kishë në Tetovë, qytet i banuar me popullatë shumicë shqiptare të besimit mysliman, kishte pësuar dëme të vogla gjatë një sulmi me zjarrvënie.
Ndërkohë në qytetin e Manastirit, që është i banuar me popullatë shumicë maqedonase të besimit të krishterë ortokoks, ishin shkruar grafite ofenduese në muret e Xhamisë së shekullit të 16-të.
Deri tani askush nuk është arrestuar nga policia për këto incidente. Ndërkohë banorët e të dyja etnive, si ato maqedonase dhe shqiptare shprehen optimistë se këto tensione nuk do të përshkallëzohen.
http://www.balkanweb.com/rajoni/2687/ap-karnavalet-shkak-per-tensione-etnike-ne-maqedoni-80625.html