Qafë Thanë, bllokohen në kufi 40 të sëmurë me dializë

Qafë Thanë, bllokohen në kufi 40 të sëmurë me dializë QAFË THANË - Rruga e bllokuar nga dëbora u ka rrezikuar jetën 40 të sëmurëve me dializë që shkonin dje në spitalin e Strugës.
Dëbora që nisi në orët e mbrëmjes së ditës së mërkurë e vazhdoi dhe dje deri në mesnatë bllokoi për një kohë të gjatë lëvizjen e ndërsjelltë në doganën e Qafë Thanës. Po ashtu, probleme të tilla janë shfaqur dhe në aksin rrugor Pogradec-Strugë ku udhëtojnë një herë në dy ditë të sëmurët me dializë nga Korça dhe Pogradeci për të shkuar në spitalin e Strugës.

"Ngelëm mbi 5 orë në rrugë, pasi automjeti me të cilin dërgoja vëllanë në spital në Maqedoni u bllokua që në kthesat e para të Qafë Thanës. Ndenjëm në vend pa lëvizur për më shumë se dy orë. Mjetet filluan të hapnin rrugën, por pothuaj e kishin të pamundur. Pas tre orësh të tjera mezi mundëm të shkojmë në doganën e Qafë Thanës. Vëllai ndjehet keq, e ne duhet të ecim. Nëse nuk shkojmë sot(të enjten) në spital në Strugë, ai rrezikon jetën. Shpresojmë që këto kilometra që na kanë ngelur në tokën maqedonase të jenë pa shumë probleme",- pohoi për "G.SH" 54-vjeçari N. Zaimi nga Pogradeci. Ndërsa një pacient i sëmurë me dializë, 31- vjeçari N.Karaji nga Përrenjasi, thotë se është nisur që në mëngjes me të atin në drejtim të Maqedonisë dhe vetëm në orën 14:00 ka mundur që të shkojnë me mjetin e tyre deri në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës.

Dje në mesditë, sipas palës maqedonase, për shkak të dëborës, kanë qenë pothuajse të bllokuara akset rrugore Strugë-Ohër, Strugë-Shkup, Strugë-Dibër dhe Strugë-Qafë Thanë. Asistenca e forcave dhe mjeteve borëpastruese fqinje mundën që pas shumë orësh të sëmurët me dializë e dhjetëra udhëtarë që kishin mbetur në rrugë mundën që të futen në tokën maqedonase.

Për shkak të vështirësive në rrugë, si në pikën e Qafë Thanës, ashtu dhe në Tushemishtit shumë drejtues mjetesh(përfshi dhe ngarkesa me mallra) janë të detyruar që të mos nisen për në destinacion. Drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët kërkojnë më shumë impenjim nga ndërmarrjet përkatëse për hapjen e akseve rrugore dhe sigurimin e lëvizjes së mjeteve.
http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/qafe-thane-bllokohen-ne-kufi-40-te-semure-me-dialize-80675.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek