
KORÇË-Duke filluar nga Elbasani në Kapshticë, i gjithë rajoni verilindor është i përfshirë nga reshje të mëdha dëbore, e cila në zonat e ulta është nga 5-30 cm dhe në zonat malore nga 50cm-1 metër, pasi ka patur reshje bore edhe natën e shkuar.
Për shkak të kësaj situate të rënduar Qafa e Thanës, natën e mbrëmshme ishte e bllokuar për kamionat e tonazhit të rëndë me destinacion për Greqi, Maqedoni dhe Bullgari. Kjo ka sjellë si pasojë që ata të gdhihen në fushën e Domosdovës, ku autokolona e këtyre mjeteve arrin deri në Përrenjas.
Shtresa e akullit dhe dëborës mbi asfalt në këto qafa dhe në vijim të rrugës deri në Kapshticë lejon të kalojnë vetëm, autovetura, dhe autobusa të pajisur me zinxhirë.
Për të përballuar këtë gjendje, siç na thotë edhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, Kreshnik Zgjni po përdoren mjete të shumta dhe automjete që transportojnë kripë për ta hedhur në rrugë
Në zonat rurale sidomos në komunat e Mokrës dhe Gorës trashësia e borës është mbi 70 cm. Mjaft prej fshatrave janë të bllokuara dhe mësimi nuk zhvillohet që prej ditës së djeshme.
Drejtori i Drejtorisë së rrugëve rurale të Pogradecit, Sokol Kuqo tha se, “problematik ka qenë aksi rrugor i komunës së Trebinjës, veçanërisht Qafa e Lozhnikut, ku trashësia e dëborës e hedhur nga era arrinte deri në 2 metra”.
Bashkia Pogradec për të normalizuar situatën në qytet, dje dhe sot ka ngritur në këmbë njerëzit e saj për të mbajtur në normalitet gjithçka.
Gjë që nuk ndodh edhe në Bashkinë e Korçës ku trashësia e akullit në trotuaret dhe rrugicat është me pasoja për këmbësorët.
I acartë është dimri veçanërisht në Devoll, ku janë shënuar edhe temperaturat më të ulëta në rajon gjatë këtyre 40 viteve të fundi nga minus 20 gradë, deri në minus 24 gradë.
Komuna e Mirasit me mbi 10 mijë banorë, prej dy ditësh është e bllokuar sepse edhe rruga që lidh qendrën e komunës me Bilishtin është në ndërtim e sipër.
Ashtu si në këtë rreth, edhe në Kolonjë, ku mund të kalohet deri në Leskovik me zinxhirë në zonat rurale, mësimi është ndërprerë. Ndërsa në qytetin e Korçës, Ersekës, Bilishtit e Pogradecit, mësimi në shkolla zhvillohet me orar të reduktuar.
Furnizimi me bukë në zonat e thella malore bëhet me automjete të vogla tip “Jeep”. Njësitë e qeverisjes vendore kanë marrë masat për të shmangur aksidentet dhe për të përballuar emergjencat e mundshme të këtij dimri të ashpër.
http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/bora-ne-juglindjen-me-km-radha-e-kamionave-te-tonazhit-te-rende-80677.html