
MYNIH- Kryeministri Sali Berisha u nis sot për në Gjermani, për të marrë pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë, e cila zhvillohet në datat 3 - 5 shkurt.
Zyra për shtyp e Kryeministrisë njofton se Konferenca do të trajtojë tema të ndryshme si roli i Gjermanisë në Evropë e në botë; energjia, burimet dhe ambienti si parametra të një sigurie të re; ndërtimi i një komuniteti të sigurisë euroatlantike; Amerika, Evropa dhe ngritja e Azisë; kriza financiare dhe konsekuencat e saj për sigurinë ndërkombëtare, etj.
Konferenca drejtohet nga Wolfgang Ischinger, i cili ndër të tjera ka qenë përfaqësues i Bashkimit Evropian në trojkën për statusin e Kosovës, para shpalljes së pavarësisë së saj.
Në këtë eveniment marrin pjesë Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hillary Clinton, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Leon Panetta, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, zëvendëspresidentja e Komisionit dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE, Catherine Ashton, kryeministri i Italisë, Mario Monti, si dhe drejtues të lartë shtetesh.
Konferenca e Sigurisë e Mynihut e themeluar në vitin 1962, bashkon cdo vit personalitete të larta nga mbarë bota në fushën e politikëbërjes, mbrojtjes, mendimit, biznesit dhe medias, për të diskutuar mbi sfidat me të cilat përballet bota, për të identifikuar sfidat e ardhshme të sigurisë dhe për të gjetur zgjidhjet e tyre.
http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/berisha-ne-gjermani-per-konferencen-e-sigurise-80705.html