
TIRANE - Përmes një komunikate të shpërndarë për mediat, Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh shqetësim lidhur me ngjarjet e fundit kriminale në vend.
Duke përmendur ndër të tjera edhe dy vrasjet e njëpasnjeshme në Tiranë, KSHH thekson se “pavarësisht nga përpjekjet që janë bërë e po bëhen për zbulimin e krimeve dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve, masat për parandalimin e veprave penale të mësipërme nuk kanë qenë në nivelin e duhur.”
Gjithashtu Komiteti Shqiptar i Helsinkit sjell në vëmendje të organeve përkatëse se për parandalimin e krimeve është i nevojshëm bashkëpunimi më i mirë midis tyre, ndërsa nga organet e specializuara kërkohet zbulim, hetim dhe gjykim i shpejtë.
“Zvarritja në këtë drejtim ndikon negativisht në besimin e qytetarëve ndaj organeve të policisë dhe atyre të drejtësisë në përgjithësi si dhe krijon një situatë paisgurie për jetën, shëndetin dhe pasurinë e shtetasve”,- thuhet në komunikatën e KSHH, në të cilën theksohet se shteti ka detyrimin për të siguruar garanci dhe mbrojtje efektive për qytetarët.
http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/vrasjet-ne-tirane-kshh-shpreh-shqetesim-80719.html