
TIRANË- Kërkesa e Prokurorisë për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish- komandantit te Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, dhe shoferit të tij Margarit Kume do të shqyrtohet në 8 shkurt nga Gjykata e Apelit, ndërkohë që sot kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata e Tiranës.
Prokuroria kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest shtëpie, në arrest me burg për tre të akuzuarit në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, por Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm, duke i lënë tre të akuzuarit në arrest shtëpie.
Ndërsa kërkesa për rishikimin e masës së sigurisë për Armando Kasajn, specialist i IT-së në kryeministri, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit në 10 shkurt.
Trupi gjykues do të kryesohet nga Artan Broci, ndërsa anëtarë do të jenë Gjin Gjoni dhe Edmond Gega.
Ndrea Prendi, me detyrë komandant i Gardës së Republikës u vu nën arrest shtëpiak pak ditë më parë, pasi nga hetimet njëvjeçare për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit, ai dyshohet se ka vrarë protestuesin Faik Myrtaj.
Margarit Kume, shofer i ish-komandantit të Gardës, dhe Armando Kasa, specialist i IT-së në kryeministri, akuzohen se kanë fshehur provat që do conin në zbardhjen e së vërtetës.
http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/apeli-shqyrton-ne-8-shkurt-kerkesen-e-prokurorise-per-ndrea-prendin-80722.html