Haxhinasto: Hungaria mbështetje Shqipërisë për integrimin

Haxhinasto: Hungaria mbështetje Shqipërisë për integrimin TIRANE- Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto vlerësoi sot mbështetjen e rëndësishme të dhënë nga Hungaria në proceset për integrimin e vendit në BE, si dhe për vëmendjen e rëndësinë që ajo i kushton Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, gjatë një takimi kortezie me delegacionin e Ministrisë së Jashtme të Hungarisë, të kryesuar nga z. Péter Sztáray, Zv/Sekretar i Shtetit dhe Drejtori Politik në këtë ministri.

Nga të dy palët u vlerësua niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve, bazuar mbi një traditë historike, si dhe u shpreh vullneti për t’i dhënë edhe më tepër substancë bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjithashtu, bashkëbiseduesit ndanë mendimin për rritjen e bashkëpunimit ekonomik duke evidentuar si fusha prioritare: turizmin, energjetikën, bujqësinë, etj.

Në këtë kuadër, Ministri Haxhinasto shprehu interesin për mbledhjen e Komisionit të Përbashkët Ekonomik, për konkretizimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve në kuadrin shumëpalësh. Drejtori Sztáray vlerësoi kontributin e Shqipërisë për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, si dhe angazhimet e saj në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse, si në Afganistan, etj.

Gjithashtu, Ministri Haxhinasto vlerësoi mbështetjen që Hungaria i ka dhënë dhe vijon t’i japë Kosovës për përfshirjen e saj në proceset integruese rajonale dhe evropiane.

http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/haxhinasto-hungaria-mbeshtetje-shqiperise-per-integrimin-80724.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek