Shfaqet organizata paramilitare maqedonase MOS

Shfaqet organizata paramilitare maqedonase MOS Forcat e Bashkuara Maqedonase (MOS) është organizata paramilitare maqedonase që është shfaqur ditëve të fundit përmes internet në Maqedoni, infomon agjencia e lajmeve INA.

Organizata maqedonase MOS (Makedonski Obedineti Sili) për herë të parë është paraqitur publikisht përmes rrjeteve sociale të internetit si “Facebook”, ku thekson se së shpejti do të dalë publikisht me kërkesat dhe qëllimet e saj.

Në një letër të tyre të publikuar thuhet se interesimi për anëtarësim në këtë organizatë është i madh dhe se me vëmendje ndjekin gjendjen në Strugë. Ata shprehën gatishmërinë e tyre për të qenë në dispozicion institucioneve të shtetit.

Teksti integral, dërguar portaleve maqedonase, kryesisht atyre lokale nga Ohri:

“Dëshirojmë të përcjellim përshëndetjet dhe respektin tonë deri te ju. MOS, Forcat e Bashkuara Maqedonase (FBM), është organizatë që ekziston një kohë të gjatë, me pjesëmarrje në shumë ngjarje ku është konsideruar se duhet të mbrohen interesat nacional maqedonas.”

“Për herë të parë (dhe të fundit), pjesëtarët e MOS janë paraqitur me uniforma gjatë kohës së gjykimit të gjeneralëve në rastin “Vreshtat e Rashtakut”, (që më pas u liruan), edhe pse asnjëri prej tyre nuk ishte pjesëtar i MOS. Kemi marë pjesë në protestat kundër ndryshimit të emrit dhe shumë ngjarje tjera të mëdha.”

“Si “branitella” mbrojtës të cilët nuk kursejnë as jetën e vet, më 2001, jemi pozicionuar në mbrojtje të atdheut tonë. Kemi për qëllim dhe obligim që të vihemi në mbrojtje të vlerave nacionale, kulturore dhe historike maqedonase. Respektojmë institucionet e shtetit dhe jemi në dispozicion si “branitella” nëse sërish kanë nevojë për shërbimet tona, për shkak të interesimit gjithnjë e më të madh nga populli maqedon që ti bashkëngjiten MOS-it.”

“Gjatë periudhës së ardhshme, ne udhëheqësit e MOS-it, do të dalim publikisht dhe do ti bëjmë publike aktivitetet dhe qëllimet tona. Në këtë moment, pos dënimit të ngjarjeve në Strugë, nuk do të dëshirojmë të japim kurrfarë deklarate plotësuese me qëllim që të mos hedhim vaj zjarrit, por me vëmendje ndjekim ngjarjet dhe zhvillimet në Strugë dhe Maqedoni.”

MOS sc deklaron edhe vetë, është një organizatë paramilitare maqedone e cila mbledh rreth vetes elementë ultranacionalistë dhe pjesmarrës në konfliktin e vitit 2001. Organizata ekstremiste është shfaqur ditët e fundit menjëherë pas tensionimit të marrëdhënieve fetare e ndëretnike mes shqiptarëve e maqedonasve.


http://www.balkanweb.com/rajoni/2687/shfaqet-organizata-paramilitare-maqedonase-mos-80744.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek