Opozita: Bilanc lufte, policia bën thjesht kronikën e ngjarjeve

Opozita: Bilanc lufte, policia bën thjesht kronikën e ngjarjeve TIRANË- Deputetë të Partisë Socialiste kanë reaguar dje, ashpër, duke i kërkuar llogari Policisë së Shtetit, për 2 vrasjet e bujshme në Tiranë, mbrëmjen e së enjtes.

“Kërkohet Policia e Shtetit. Tre krime të rënda në mbrëmjen e djeshme, vetëm në Tiranë. Bilanc lufte. Dy gra humbën jetën nga plumbat, ndërkohë që policia bën thjesht kronikën e ngjarjeve. Një nënë u qëllua në derë të shtëpisë teksa kthehej nga puna. Një vajzë e re u qëllua nga plumbat qorrë, që binin si shiu i djeshëm në një ndër rrugët më të populluara të Tiranës. Shumë plumba, por policia nuk dihet ku është. Kriminelët nuk gjenden, por bashkë me ta ka humbur dhe Policia e Shtetit”,- ka shkruar në rrjetin social Facebook, deputeti i PS-së, Taulant Balla.

Më tej, edhe nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe është shprehur, “kur vriten dy, posaçërisht gra, dhe plagoset dhe një i tretë, mu në mes të lagjeve më të banuara të kryeqytetit, ç’do të thotë? Ngjarjet dje në mbrëmje, u paraprinë nga vjedhje bankash një ditë më parë! Por, ngjarjet janë paraprirë nga një zinxhir i gjatë vrasjesh mafioze pa autorë, javë e muaj më parë!”. “Kush po vret në Tiranë, zoti ministër? Po ti kryetar i Bashkisë së Tiranës, që iu premtove tiranasve forcim të rendit publik, ku e ke fshehur kokën tënde bosh e të lyer me xhel e brilantinë? Të gjithë drejtuesit e policisë së Tiranës janë ende ata që emërove ti si ministër i Brendshëm dhe që u përfshinë gjerësisht në fushatë elektorale për ty?”,- u shpreh Braçe. “Po këtë gangsterin, policin që rreh gra dhe ruan çmimet e gjelave, ku e ke?”,- i është drejtuar Braçe, kreut aktual të Bashkisë së Tiranës.

http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/opozita-bilanc-lufte-policia-ben-thjesht-kroniken-e-ngjarjeve-80754.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek