Durrës, deti i trazuar, tragetet vonesa prej 7-8 orë

Durrës, deti i trazuar, tragetet vonesa prej 7-8 orë DURRËS- Tragetet e linjave Durrës- Bari dhe anasjelltas janë nisur me vonesa prej disa orësh nga portet përkatëse. Lajmi bëhet i ditur nga kapiteneria e portit të Durrësit.

Stuhia detare dhe era e fortë me drejtim nga juglindja e ka bërë të pamundur nisjen e trageteve mbrëmjen e kaluar drejt portit të Barit. Të dy tragetet e linjës janë nisur vetëm sot në orët e para të ditës dhe e njejta situatë është raportuar edhe nga kolegët tanë italianë në portin fqinj.

Tragetet "Ionis" dhe "Riviera del conero" parashikohet të mbërrijnë në Durrës rreth orës 16.00, shtuan burimet. Ndërkaq, reshjet e shiut që nisën sot në orët e para të mëngjesit kanë bllokuar përkohësisht punën për përpunimin e anijeve tregtare në portin më të madh të vendit.

Gjatë ditës pritet që era të ketë të njejtin drejtim, nga juglindja, ndërsa temperaturat e ajrit në mesditë do të arrijnë në 8 gradë celsius. Deti i trazuar me forcë 6-7 ballë ka penguar lundrimin e anijeve të tonazhit të vogël dhe të motopeshkatoreve, përfunduan burimet e kapitenerisë.

http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/durres-deti-i-trazuar-tragetet-vonesa-prej-7-8-ore-80758.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek