Varrezat monumentale të Çamërisë, shpallen fituesit e konkursit

Varrezat monumentale të Çamërisë, shpallen fituesit e konkursit TIRANË- Komisioni ad hoc i konkursit “Varreza monumentale të shqiptarëve të Çamërisë në Qafë-Botë“ shpalli sot fituesit e konkursit të konceptimit të projekt-idesë në një ceremoni të organizuar sot.

Varrezat monumentale janë projekti i parë i rëndësishëm që merr formën e realizimit për shqiptarët e Çamërisë që prej genocidit dhe spastrimit etnik të ushtruar ndaj tyre në fund të Luftës së Dytë Botërore nga ushtritë greke.

Gjatë kësaj ceremonie, kryetari i komisionit përzgjedhës, Artan Lame theksoi rëndësinë e projektit, duke nënvizuar se tashmë shqiptarët e Çamërisë do të kenë një pikë pelegrinazhi për të respektuar paraardhësit e tyre.

Çmimin e parë e akordoi kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i cili ishte edhe mbështetësi kryesor i këtij konkursi. Gjatë fjalës së tij, Idrizi theksoi se tashmë do të vijohet për realizimin e projektit dhe për këtë do të kërkohet ndihma e të gjithë shqiptarëve, si edhe e qeverisë.

Varreza monumentale e shqiptarëve të Çamërisë në Qafë Botë është vepra e parë që do të bëhet për ngritjen e një pike përkujtimore në 70 vjet pas dëbimit dhe vdekjes së shqiptarëve nga Çamëria. Gjatë dëbimit të shqiptarëve të Çamërisë, vdiqën nga uria, etja dhe rraskapitja më shumë se 2700 shqiptarë dhe po aq u vranë nga forcat greke. Varreza më e madhe ndodhet në fshatin Kllogjer të Sarandës, aty ku do të ndërtohet varreza monumentale.
http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/varrezat-monumentale-te-camerise-shpallen-fituesit-e-konkursit-80785.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek