Zgjedhjet në Universitete, të hënën kandidatët për Rektorë

Zgjedhjet në Universitete, të hënën kandidatët për Rektorë TIRANË- Pas mbylljes së procesit të regjistrimit në komisionet qendrore të zgjedhjeve të kandidaturave për rektorët e rinj në Universitetet e Tiranës, nesër është është afati i fundit i regjistrimit pranë komisioneve zgjedhore në fakultete, i pedagogëve që garojnë për dekanë dhe shefa departamentesh.

Sipas rregullores, ditën e hënë pritet të afishohen listat zyrtare të kandidaturave.

Nga informacionet e deritanishme rezulton se, në Universitetin e Tiranës do të garojnë rektori aktual Dhori Kule dhe pedagogia e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mimoza Hafizi.

Në Universitetin Politeknik, mësohet se përballë rektorit aktual Jorgaq Kaçani, nuk ka kandidaturë tjetër. Edhe në Fakultetin e Infermierisë dhe atë të Drejtësisë, dekanët aktualë kanë pranuar rikandidimin, ndërkohë që deri tani janë të vetëm në garë.

Drejtuesi i universitetit Bujqësor, Fatos Harizaj, do të rikandidojë sërish, ndërkohë që edhe në Universitetin e Arteve, rektori Petrit Malaj ka regjistruar zyrtarisht emrin për kandidim.
Deri tani në Tiranë fushata paraprake për zgjedhjet e drejtuesve të rinj ka qenë e qetë. Nga ana e saj, Ministria e Arsimit ka bërë thirrje për ruajtje të etikës mes stafit akademik në mënyrë që zgjedhjet të jenë transparente.

Në datën 20 shkurt, stafi i pedagogëve, studentët dhe administrata e shkollave të larta publike do t’u drejtohen kutive të votimit për autoritetet e reja drejtuese. Në këtë garë do të përzgjidhen 11 rektorët që do të drejtojnë për katër vitet e ardhshme universitetet publike. Numri i zëvendësrektorëve do të jetë më i madh, pasi çdo universitetet do të ketë dy të tillë. Në këto zgjedhje, do të votohet edhe për 60 dekanët e fakulteteve, rreth 250 shefa departamentesh.
Sipas rregullores, konsiderohet fitues në postin e autoriteteve drejtuese, ai kandidat që renditet i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33%. Nëse nga llogaritja e rezultatit të votimit kanë dalë dy ose më shumë kandidatë me pikë të barabarta, fituesi do të zgjidhet me short. Në rastin e një kandidature të vetme për postin e autoriteteve drejtuese, konsiderohet fitues nëse rezultati i tij në përqindje është mbi 50%.
http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/zgjedhjet-ne-universitete-te-henen-kandidatet-per-rektore-80796.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek