Policia, 70 minuta për të shpëtuar ish-të dënuarin

Policia, 70 minuta për të shpëtuar ish-të dënuarin TIRANE- Për më shumë se një orë, e gjithë Tirana ka mbajtur frymën me sytë e ngritur në 84 metra lartësi, ku një 53-vjeçar kërcënonte se do të hidhej. Është dashur ndërhyrja e grupit negociator të RENEA- s, që të bindte 53- vjeçarin, e identifikuar më vonë si Xhemal Zhuri, që të zbriste nga vinçi ku kishte hipur dhe kërcënonte se do të hidhej. E gjithë ngjarja është zhvilluar në qendër të Tiranës, vetëm pak metra larg “Ushtarit të Panjohur”. Zhuri kishte arritur të hynte brenda rrethimit të një pallati që është duke u ndërtuar në atë zonë dhe me qetësi është ngjitur në majë të vinçit, në një lartësi afro 84 metra. Kanë qenë telefonatat e disa kalimtarëve, të cilat kanë vënë në lëvizje Policinë e Tiranës dhe jo vetëm, pasi brenda një kohe të shkurtër pranë sheshit të “Ushtarit të Panjohur”, u “dislokuan” një numër i madh uniformash blu, forcat RENEA, zjarrëfikset dhe ambulancat.

Fillimisht lartësia e madhe e bënte të pamundur komunikimin midis Zhurit dhe forcave të Policisë. Ka qenë vetë Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili ka tentuar të komunikonte me 53-vjeçarin, babain e tre fëmijëve, por ka qenë thuajse e pamundur. Në ndihmë kanë ardhur forcat speciale RENEA, të cilat pasi janë ngjitur në katin e fundit të pallatit që ishte në ndërtim, kanë arritur të komunikojnë me Zhurin dhe më pas ta bindin atë të zbriste nga vinçi. Por, edhe operacioni i shpëtimit ka qenë i vështirë për shkak të lartësisë së madhe dhe shiut të rrëmbyer që binte. Tetë efektivët e RENEA-s kanë improvizuar një urë për të bërë të mundur kalimin e 53-vjeçarit dhe shpëtimin e tij. Menjëherë pas zbritjes së tij, 53-vjeçari është dërguar në ambientet e Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje nga ana e efektivëve të kësaj drejtorie në lidhje me shkaqet që e shtynë të ndërmerrte këtë veprim. Mësohet se Zhura është ish i dënuar politik dhe ka kaluar rreth 7 vite në burgjet e diktaturës. Gjithashtu, rezulton se tre vite më parë ai është divorcuar nga bashkëshortja e tij. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se gjendja e rëndë psikologjike dhe problemet ekonomike kanë çuar 53-vjeçarin drejt këtij veprimi, i cili fatmirësisht nuk rezultoi tragjik. Burime nga policia bëjnë të ditur se Zhuri ishte i rënduar psikologjikisht dhe se herë pas here ofendonte dhe lëshonte akuza ndaj komunistëve.
HISTORIA
Xhemal Zhuri nuk është një emër i panjohur në vend. 53-vjeçari ka qenë një prej iniciatorëve dhe organizatorëve të rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, mesditën e 20 shkurtit 1990. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve, rreth orës 12:30 të 20 shkurtit, Xhemal Zhuri së bashku me disa ish të përndjekur politik, ishin në krye të turmës në sheshin “Skënderbej”. Ndërkaq, babai i 3 fëmijëve ka kaluar 6 vjet e 8 muaj në burg në kohën e diktaturës, për të cilët në vitin 2010 ai është dëmshpërblyer nga shteti me 3.6 milionë lekë. Por, duket se problemet kanë vijuar për Zhurin, i cili në vitin 2009 është divorcuar nga bashkëshortja, pasi një kërkese të depozituar nga kjo e fundit. Gjykata në përfundim të shqyrtimit vendosi që fëmijët të qëndrojnë me nënën, ndërsa Xhemal Zhuri duhet të paguante 15 mijë lekë në muaj për rritjen e tyre. Duket se kjo situatë e ka rënduar më shumë gjendjen e 53-vjeçarit, i cili pasditen e djeshme ka kërcënuar me vetëflijim, por fatmirësisht gjithçka është mbyllur mirë.

http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/policia-70-minuta-per-te-shpetuar-ish-te-denuarin-80820.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek