Olldashi: Objektiv ulja e aksidenteve në rrugë 30-50 %

Olldashi: Objektiv ulja e aksidenteve në rrugë 30-50 % TIRANE -Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi u angazhua të martën për uljen me 30-50 % të numrit të aksidenteve brenda dekadës.
Pas një takimi me Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizimit (FIA) Jean Todt, i cili ndodhet për një vizitë dy ditore në vendin tonë, Olldashi tha se Shqipëria po bën përpjekje të mëdha për përmirësimin e infrastrukturës rrugore përmes investimeve, apo përmes ndryshimeve në Kodin Rrugor si dhe përmes rritjes së financimeve për sinjalisikën rrugore.

"Këto përpjekje synojnë uljen e numrit të aksidenteve rrugore në Shqipëri në mesataren e vendeve të zhvilluara, pasi jemi ende në shifra më të larta se kjo mesatare. E njoha z. Todt me objektivat e strategjisë për sigurinë rrugore që synon që brenda dekadës të reduktojmë numrin e aksidenteve rrugore 30-50 % . E gjithë kjo paketë që nis me investimet në infrastrukturë dhe përfundon me ndryshimet ligjore në Kodin Rrugor synon pikërisht reduktimin e aksidenteve", theksoi z. Olldashi.

Jean Todt, Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizimit, ish drejtuesi i lartë i Ferrarit në Formula 1, tha se në vizitën e tij të parë në vendin tonë, po njihet me situatën e automobilizmit në Shqipëri. "Ka pasur shumë aksidente në të gjithë botën dhe ne jemi të shqetësuar për këtë. Ky është një problem shumë i madh, që duhet minimizuar", deklaroi ai.

Jean Todt i dorëzoi ministrit Olldashi çertifikatën e FIA-s, për rrugë të sigurta si dhe u përcolli një mesazh të qartë drejtuesve të mjeteve automobilistike në Shqipëri për shmangien e aksidenteve në rrugë.

"Në mbështesim përmirësimin e sinjalistikës rrugore. Duhet të edukojmë njerëzit dhe të mbështesim qeverinë që të investojë në përmirësimin e cilësisë së rrugëve. Shpresoj që teknologjia më e avancuar e makinave të jetë e pranishme edhe në Shqipëri, sepse është e nevojshme të mos kemi mjete të vjetëruara në rrugë. Ndërsa drejtuesit e mjeteve duhet të jenë më të kujdesshëm në respektimin e rregullave", tha Todt.

Todt erdhi në Shqipëri për lançimin e Dekadës së Veprimit për Sigurinë Rrugore 2011-2020, e cila ka për qëllim kryesor shpëtimin e miliona jetëve në mbarë botën.

Gjatë vitit 2011 FIA dhe shumë klube në mbarë botën janë angazhuar në promovimin e Dekadës së Sigurisë Rrugore përmes iniciativave dhe fushatave të ndryshme sensibilizuese me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.

Gjatë muajit nëntor 2009, u mbajt për herë të parë në Moskë Konferenca Ndërministrore Globale mbi sigurinë në rrugë ku si konkluzion i këtij takimi në maj të vitit 2010 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë mbi sigurinë rrugore.

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), është organi botëror qeverisës për sportin motorik në botë dhe federata e organizatave motorike më prestigjioze në botë. Ajo mbledh së bashku 227 organizma kombëtare sportive dhe motorike nga 132 vende në të 5 kontinentet ku përfshihet edhe Shqipëria me Automobile Club Albania dhe Federatën Shqiptare të Sporteve të Automobilizmit.

Për çështje si siguria rrugore, mobiliteti, mbrojtja e ambientit dhe e konsumatorit FIA promovon në mënyrë aktive interesat e motoristëve në Kombet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe përmes organizmave të tjerë ndërkombëtarë.

Sipas statistikave, çdo vit 1.3 milionë njerëz janë vrarë në rrugë dhe 50 milionë të tjerë janë plagosur, ku disa prej tyre shumë rëndë.
http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/olldashi-objektiv-ulja-e-aksidenteve-ne-rruge-30-50--81026.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek