Gjykata vendos sot për “lirinë” e Agim Llupos

Gjykata vendos sot për “lirinë” e Agim Llupos TIRANE - Gjykata e Tiranës pritet të vendosë sot për qëndrimin e mëtejshëm ose jo të gardistit Agim Llupo në qeli. Në një hark kohor prej një ore, gjykatësi Shkëlqim Mustafa do të shqyrtojë dy kërkesa për të akuzuarin Llupo, i vetmi që ndodhet prapa hekurave për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndaj të cilit rëndon akuza e vrasjes së demonstruesit Ziver Veizi.

Kërkesat janë krejt të kundërta me njëra-tjetrën, Llupo që kërkon lirinë dhe prokuroria që kërkon zgjatjen e afatit për qëndrimin e të dyshuarit prapa hekurave. Në seancën e orës 12:00 gjykata do të marrë në shqyrtim kërkesën e Agim Llupos për lirimin nga qelia, me argumentin që kanë përfunduar afatet e paraburgimit.

Ndërkohë një orë më vonë, në orën 13:00 gjykatësi Mustafa do t’i japë përgjigje prokurorisë lidhur me kërkesën e saj për zgjatjen e afateve të paraburgimit për personin nën hetim Agim Llupo, edhe për tre muaj të tjerë.

Mëngjesin e djeshëm u zhvillua një seancë për shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë për zgjatjen e afateve të paraburgimit për Llupon, ku ishte i pranishëm dhe vetë i pandehuri.

Ky i fundit kishte zgjedhur avokat Gëzim Veleshnjan, pas dorëheqjes së Genci Gjokutajt, i cili kishte marrë në mbrojtje ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendi, ndaj të cilit rëndon akuza e vrasjes së demonstruesit Faik Myrtaj.

Avokati Gjokutaj i tha gjykatës se prokurorët e çështjes i kanë komunikuar me 23 janar, ditën kur Ndrea Prendi dha shpjegime në prokurori, se ka papajtueshmëri dhe nuk mund të mbrojë në të njëjtën kohë dy të pandehurit, ish-kryegardistin dhe Agim Llupon. “Ndaj,- theksoi Gjokutaj, - nuk mund të vazhdoj më mbrojtjen e gardistit”. Sot gjykatësi Mustafa do tu përgjigjet të dyja kërkesave të palëve si Llupos ashtu dhe prokurorisë.


http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/gjykata-vendos-sot-per-lirine-e-agim-llupos-81080.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek