Berisha: Përpjekje maksimale për mënjanimin e aksidenteve

Berisha: Përpjekje maksimale për mënjanimin e aksidenteve TIRANË - Kryeministri Sali Berisha priti dje në mbrëmje, në selinë e Kryeministrisë, Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilit (FIA), Jean Todt, që ka ardhur në vendin tonë me ftesë të Klubit Shqiptar të Automobilit (ACA).

Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se gjatë këtij takimi Todt duke paraqitur veprimtarinë e organizatës që drejton, vuri në dukje se FIA është angazhuar në një fushatë sensibilizimi për mënjanimin e aksidenteve automobilistike, nga të cilat gjatë vitit 2012 kanë humbur jetën 1.5 milion vetë dhe janë plagosur 50 milionë të tjerë. Ai vlerësoi angazhimin në këtë fushatë të ACA-s, e cila po bën një punë të mirë edhe për zhvillimin e sportit të automobilizmit në Shqipëri.

Ndërsa Kryeministri Berisha deklaroi se automobilizmi është nga sportet më të ndjekur në Shqipëri, ashtu siç është i njohur edhe emri i Todt si menaxher i përgjithshëm i Ferrarit, kur pati siguruar titullin e kampionit të Formula Uno në vitet 2000-2004.

Ai e siguroi Todt se qeveria po bën përpjekjet maksimale për mënjanimin e aksidenteve, nëpërmjet një përmirësimi rrënjësor të infrastrukturës rrugore, të futjes së vëzhgimit digital në respektimin e rregullave dhe rritjes së kërkesave ndaj drejtuesve të mjeteve.


http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/berisha-perpjekje-maksimale-per-menjanimin-e-aksidenteve-81094.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek