
TIRANË- Komisioni parlamentar hetimor për shkarkimin e zv/kryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, në mbledhjen e thirrur të mërkurën, caktoi 13 shkurtin si datën e miratimit të raportit përfundimtar.
Kreu i komisionit Enkelejd Alibeaj tha se janë marrë përgjigje dhe fakte nga shumë institucione, ndërsa vetë institucioni i KLD-së nuk ka dhënë ende përgjigje për ato që i janë kërkuar.
"Pasi mblodhëm shumicën e materialeve hetimore komisioni do të konkludojë me miratimin më 13 shkurt të raportit përfundimtar, ku do të paraqiten qëndrimet rreth veprimtarisë së zv/kryetarit të KLD-së Spahiu, objekt i hetimit parlamentar. Pas miratimit, raporti do t'i përcillet seancës plenare të Kuvendit",-u shpreh kryetari i komisionit, Enkelejd Alibeaj.
Alibeaj i dha një afat të dytë drejtuesit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Spahiu për t'u paraqitur të premten në 10 shkurt në seancë dëgjimore para komisionit parlamentar.
Komisioni hetimor, ku nuk merr pjesë opozita, u ngrit me vendim të Kuvendit për shkarkimin e zv/kryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ky i fundit akuzohet nga maxhoranca për devijim nga funksioni kushtetues duke u angazhuar në politikë, si dhe abuzim me detyrën me largime afatgjata.
http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/shkarkimi-i-spahiut-me-13-shkurt-komisioni-miraton-raportin-81117.html