Ndryshimet në polici, prezantohet Çaushaj

Ndryshimet në polici, prezantohet Çaushaj TIRANE- Vetëm pak ditë pas emërimit të tij në krye të Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj ka zhvilluar ditën e djeshme takime me strukturat e Komisariateve të Policisë së kryeqytetit, ku është njohur nga afër me të gjithë problematikën e punës së tyre.

Përgjatë takimeve që zhvilloi pranë Komisariateve të Policisë së Tiranës, Çaushaj kërkoi rritjen e performancës së shërbimeve të policisë, me qëllim përfshirjen e komunitetit në parandalimin e krimit dhe goditjen e tij. Gjithashtu ai iu kërkoi oficerëve të policisë njohjen nga afër të shqetësimeve të qytetarëve, duke iu garantuar atyre shërbimin më të shpejtë dhe më të mirë policor, nëpërmjet zgjedhjes së problemeve që i shqetësojnë.

Po ashtu, në fjalën e tij, ai citoi se bashkëpunimi i frytshëm me organet e qeverisjes vendore, grupet e interesit, shoqërinë civile, qytetarët, por dhe mediat, do të çojë në vlerësimin real të situatës së rendit publik në terren, si dhe gjetjen e formave dhe mënyrave efikase, për luftën pa kompromis ndaj krimit dhe përmbushjen e misionit dhe përgjegjësive të Policisë. Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, Drejtori i Policisë së Tiranës zhvilloi një takim me Prefektin e Tiranës, Keltis Kruja. Në takimin me Prefektin u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm, si dhe u theksua se ky bashkëpunim do të forcohet më tej.

http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/ndryshimet-ne-polici-prezantohet-caushaj-81167.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek