Shkup, OSBE: Konfliktet ndëretnike, kërcënim për shoqërinë

Shkup, OSBE: Konfliktet ndëretnike, kërcënim për shoqërinë SHKUP - “Incidentet e fundit në Strugë përkujtuan se tensionet ndëretnike fatkeqësisht, nuk i takojnë vetëm të kaluarës. Nëse ato nuk pengohen në masë të madhe, paraqesin kërcënim për shoqërinë në përgjithësi në Maqedoni”- kështu deklaroi sot në Shkup komisioneri i lartë i OSBE-së për pakicat, Knut Volebek.

Gjatë fjalës së tij përpara deputetëve të parlamentit maqedonas, Volebek theksoi se autoritetet janë të detyruara të angazhohen maksimalisht, me të gjitha kapacitetet demokratike, për t’i parandaluar konfliktet ndëretnike.

“Djegia e flamujve, duke shprehur gjuhë të urrejtjes, si dhe dhuna e shfaqur ndaj monumenteve fetare, flasin për një politikë, e cila, nëse nuk parandalohet, mund të paraqesë problem serioz për zhvillimet demokratike të vendit. Incidentet e fundit janë tregues se ka tensione dhe se shumë pak nevojitet për t’u ndezur situata dhe për të dalë nga kontrolli. Mendoj se qeveria i është qasur mirë problemit, por nevojitet angazhim edhe më i madh që të zbardhen tërësisht këto incidente”, - deklaroi Volebek.

Komisionari Volebek, gjatë qëndrimit dyditësh në Shkup, ka takuar përfaqësuesit e partive politike parlamentare, si dhe edhe përfaqësuesit e bashkësive fetare në Maqedoni.


http://www.balkanweb.com/rajoni/2687/shkup-osbe-konfliktet-nderetnike-kercenim-per-shoqerine-81220.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek