
ATHINE - Eurozona është e rezervuar për t’i hapur dritën gjelbër ndihmës së re ekonomike për Greqinë.
"Megjithë progresin e konsiderueshëm që është arritur në ditët e fundit, nuk kemi pasur të gjithë informacionin e nevojshëm në tryezë, për të marrë vendime", tha në konferencë shtypi pas mbledhjes së ministrave të Financave të Eurozonës, kreu i Eurogrup Jan Klod Juncker. Ai shtoi se Eurogrup do të ketë një takim tjetër të mërkurën, për të miratuar ndihmën për Greqinë, vetëm nëse ajo përmbush kushtet kryesore që janë:
* Miratimi i marrëveshjes së kredisë së re të dielën në parlamentin grek.
* Përcaktimi i shkurtimeve shtesë për sigurimin e 325 milion euro në vitin 2012.
* Sigurimi i angazhimit të fortë nga liderët politikë, për të zbatuar programin e masave.
Kështu, në përputhje me kërkesat e huadhënësve, parlamenti grek duhet të miratojë të dielën, marrëveshjen e liderëve politikë për masat e dhimbshme, ndërkohë që Brukseli kërkon "garanci" të forta nga udhëheqësit politikë, për të zbatuar programin e masave edhe pas zgjedhjeve të ardhshme politike në vend.
Në të njëjtën qeveria ka kohë deri të mërkurën, për të miratuar masa, nga të cilat duhet të përfitojë shumën prej 325 milionë euro.
Në një gjatësi vale me kreun e Eurogrup, ishte edhe Komisioneri Evropian për Çështjet Ekonomike Olli Rehn, i cili theksoi se "e ardhmja e Greqisë është në duart e qeverisë dhe parlamentit". Ai shprehu bindjen se parlamenti do të miratojë masat.
Duke shfaqur shqetësimet që ekzistojnë brenda BE-së në lidhje me besueshmërinë e Greqisë, dy zyrtarët theksuan se "nuk do të ketë asnjë ndihmë fianciare për Greqinë nëse nuk shihet angazhim për zbatimin e masave".
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri grek i Financave Evangelos Venizelos deklaroi mbrëmë pas mbledhjes në Bruksel se "deri në mbledhjen e ardhshme të Eurogroup, e cila ndoshta do të mbahet të mërkurën, vendi ynë, shoqëria jonë duhet të mendojnë dhe të bëjnë një zgjedhje përfundimtare strategjike. Nëse ne e shohim shpëtimin dhe të ardhmen e vendit brenda zonës së euros, brenda Evropës, atëherë duhet të bëjmë atë që duhet bërë, në mënyrë që prohgrami i ndihmës të miratohet", deklaroi ai.
http://www.balkanweb.com/rajoni/2687/eurogrup-3-kushte-te-veshtira-greqise-per-miratimin-e-ndihmes--81263.html