U arratis nga burgu, greku Paleokostas fshihet në Shqipëri

U arratis nga burgu, greku Paleokostas fshihet në Shqipëri TIRANE - Vasilis Paleokostas, personi i cili u arratis së bashku me Alket Rizain në mënyrë spektakolare nga burgu, dyshohet se fshihet në Shqipëri.
Këtë alarm e kanë dhënë pak ditë më parë mediat greke, të cilat duke ju referuar burimeve nga policia, shkruajnë se ekzistojnë dyshime të forta se personi më i kërkuar i Greqisë mund të jetë fshehur në fshatrat kufitare të Shqipërisë me Greqinë.
Ndërkaq, lajmi në fjalë konfirmohet dhe burime nga Policia e Shtetit, të cilat për "GSH" shprehen se prej 6 muajsh kanë pasur kontakte me kolegët e tyre grek në lidhje me këtë çështje dhe kanë kryer kontrolle të vazhdueshme, por nuk kanë arritur deri më tani të gjejnë gjurmë të 46-vjeçarit.

Kërkimet
Referuar mediave të shtetit fqinj mësohet se një ekip Special i Policisë Greke është vendosur në ditët e fundit në zonën Janinë me një mision të vetëm: të gjejnë Vasilis Paleokostasin.
Pas tre vitesh që kishin humbur gjurmët e tij, duket se oficerët e Policisë Greke kanë arritur të gjejnë diçka. Sipas verifikimeve të tyre, thuhet se Palaokostas ka kërkuar strehim në Shqipëri, sidomos në fshatrat kufitare. Gjithashtu, thuhet se personi më i kërkuar në Greqi mund të ketë pasur ndihmën e personave kriminalë në territorin shqiptar, më të cilët mund të jetë njohur gjatë kohës që ka qenë në burgun e Koridhalos. Nga ana e tyre, efektivët e Policisë Greke kanë shtrirë kërkimin e tyre në malet që lidhin Shqipërinë me Greqinë, duke përdorur të gjitha metodat për të rënë në gjurmët e Paleokostas. Sipas informacioneve që bëhen të ditura me mediat e shtetit fqinj, mësohet se "Robin Hood-i" grek kohët e fundit ka udhëtuar drejt Janinës dhe në fshatrat kufitare. Nga ana e saj, Polica Greke ka marrë në pyetje një numër të madh personash në lidhje me zbulimin e vendit ku mund të fshihet 46-vjeçari. Ndërkaq, mësohet se zyrtarë të Policisë Greke kanë pasur kontakte të vazhdueshme me Policinë Shqiptare ku kanë shkëmbyer informacione në lidhje me Paleokostën. Kohët e fundit raportohet se një drejtues i lartë i Policisë ka shkuar në kufirin greko-shqiptar ku ka marrë kontakte me njerëz që kishin dijeni për lëvizjet e Vasilis Paleokostës. Pas kësaj ai është kthyer në Athinë për të organizuar lëvizjet e ardhshme. Qëllimi i policisë është për të identifikuar vendin ku ka gjetur strehë Vasilis Paleokostas, në fshatrat shqiptare afër kufirit me Greqinë. E kur ata të gjejnë, do ta ndjekin autoritetet shqiptare për një veprim të përbashkët për të arrestuar të arratisurin famëkeq.

Pala shqiptare
Ndërkaq, burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur për "Gazetën Shqiptare" se janë në dijeni të këtij fakti dhe se prej së paku 6-muajsh janë duke shkëmbyer informacione të vazhdueshme me homologët grek. Pavarësisht kontrolleve të kryera, të njëjtat burime shtojnë se nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të tij, por bashkëpunimi vijon. "Jemi në dijeni të këtij fakti, pasi prej 6 muajsh na ka mbërritur një shkresë nga pala greke, e cila na kërkon ndihmë pasi kanë informacione se njëri prej personave më të kërkuar prej tyre, Vasilis Paleokostas, i arratisur nga burgu në 2009 së bashku me shtetasin shqiptar Alket Rizai, mund të jetë i fshehur në territorin tonë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni nisëm grupe të posaçme në pjesën e kufirit shqiptaro-grek për të kryer kërkime dhe mbledhje informacioni në lidhje me këtë person. Pavarësisht punës, deri më tani nuk na ka rezultuar asnjë gjurmë e tij. Por bashkëpunimi ynë me palën greke vijon intensivisht duke shkëmbyer informacionet që mbledhim në lidhje me këtë person", - bën të ditur Policia për "GSH".


http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/u-arratis-nga-burgu-greku-paleokostas-fshihet-ne-shqiperi-81379.html
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek