
TIRANE - FMN parashikon se rritja ekonomike e Shqipërisë këtë vit do të jetë vetëm 0.5%. Një muaj më parë parashikimi i këtij Fondi ishte 1.5 %.
Shifrat vijnë nga raporti “World Economical outlook 2012” i publikuar së fundi nga FMN. Ky raport parashikon një rritje ekonomike prej 0,7% për vendet e Europës Juglindore ndërsa për Shqipërinë shifra është edhe më ulët: 0,5% nga 1,5% që ishte në fillim të këtij viti.
FMN në raportin në fjalë e përfshin Shqipërinë ndër 26 vendet më të rrezikuara nga kriza në eurozonë që pritet të ketë tkurrje të madhe të rritjes ekonomike.
Arsyeja kryesore ku FMN mbështet pritshmërinë e tij për një rritje kaq të ulët ekonomike në vitin 2012 janë tregues që flasin për transferimin e krizës nga vendet e euro-zonës në vendet e Europes Juglindore dhe rrjedhimisht edhe në ekonominë e Shqipërisë. Në krye të tyre qëndron rënia e vazhdueshme e dërgesave të emigrantëve shqiptarë të Greqisë dhe Italisë, por edhe të vendeve të tjera të Eurozonës, dërgesa që kanë qënë deri tani karburant i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/fmn-ne-2012-rritja-ekonomike-ne-shqiperi-0-5-81385.html