
BEOGRAD-Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçic shprehet se Qeveria e Kosovës i ka dërguar letër vendeve anëtare të BE-së, përmes së cilës kërkohet që mos t’i jepet Serbisë kandidatura për anëtarësim në unionin europian.
“Serbia është fajtore për mossuksesin në dialog”, citojnë mediat serbe letrën e Prishtinës, të dërguar vendeve anëtare të BE-së, të cilat në fund të shkurtit duhet të vendosin për kandidaturën serbe.
“Në letër thuhet se është arritur përparim i kufizuar në dialog dhe theksohet nungesa e zbatimit të marrëveshjeve të arritura”, ka thënë Ivica Daçic.
Ai është shprehur se përmes letrës i bëhet thirrje vendeve anëtare që ta kenë parasysh këtë, kur të diskutojnë vendimin për dhënien e kandidaturës Serbisë në fund të këtij muaji.
Daçic e ka quajtur këtë letër presion mbi Beogradin dhe sipas tij me këtë Prishtina ka treguar se nuk dëshiron kompromis me Serbinë.
Në seancën e fundit të Këshillit të Sigurimit, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, iu bëri thirrje publikisht vendeve të BE-së, që të mos e shpërblejnë Serbinë me statusin e kandidatit, ndërkohë që po ngec në zbatimin e marrëveshjeve dhe po mbështet edhe më tej “strukturat kriminale në veriun e Kosovës”.
http://www.balkanweb.com/rajoni/2687/serbi-dacic-kosova-kunder-kandidatures-se-serbise-ne-be-82055.html