
BRUKSEL - Arrihet marrëveshja mbi paketën e re të ndihmës ekonomike për Greqinë, pas një mbledhje maratonë të Eurogrup, e cila përfundoi rreth orës 5:00 të mëngjesit të sotëm.
Marrëveshja përfshin ofrimin e ndihmës financiare për Greqinë, me vlerë 130 miliardë € dhe procedurat për prerje të borxhit deri në 53.5 % të vlerës nominale të bonove, vendim që do të ketë si rezultat pakësimin e borxhit publik grek, me pak më shumë se 100 miliardë euro.
Plani i mbështetjes lejon uljen e borxhit publik grek në 120.5 % të PBB deri në 2020, një nivel të afërt me 120%, që kërkohej nga disa huadhënës, si Gjermania, Hollanda dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Deri tani "mali" i borxheve është ulur nga 160 % në 129 % të PBB.
Ndërkohë paralelisht me negociatat që bënte Eurogrup, sektori privat ra dakord për të rritur prerjen e vlerës së bonove në 53.5% kundrejt 50%, që ishte vendosur nga samiti i BE. Kreditorët privatë pranojnë kështu një humbje edhe më të madhe nga borxhi që iu ka Greqia. Qeveria e Athinës do iu bëjë fillimisht një ofertë kreditorëve privatë për këmbimin e bonove. Nëpërmjet shlyeres së letrave të vjetra me vlerë dhe dhënies së bonove të tjera me afat 30 vjeçar, do të nxirren 100 miliardë euro.
Eurogrup ra dakord gjithashtu për të rritur praninë e përhershme të Task Force në Athinë, përfshirë praninë e zgjeruar të Trojkës mbështetur nga ekspertët e vendeve anëtare, në mënyrë që të sigurohet koordinim të plotë në kontrollin e zbatimit të programit.
Eurogrupi përshëndeti gatishmërinë e autoriteteve greke për të përfshirë në legjislacionin vendas një dispozitë, që do të garantojë prioritetin e shërbimit të borxhit publik. Kjo dispozitë do të përfshihet në kushtetutën greke sa më shpejt që të jetë e mundur, theksohet në komunikatën e Eurogrupit.
Vendimet i njoftoi vetëm pas orës 06:00 të këtij mëngjesi, presidenti i Eurogroup Jean Claude Juncker në një konferencë të përbashkët për shtyp me komisionerin Olli Rehn dhe kreun e FMN-së, Christine Lagarde.
Marrëveshja e re e kredisë do të nënshkruhet në fillim të muajit mars.
Greqia duket se është shpëtuar paraprakisht. Athinës i nevojiteshin paratë deri në 20 mars, kur ishte afati i fundit për pagesën e këstit të huasë me vlerë 14.5 miliardë Euro obligacione shtetërore dhe praktikisht për të shmangur falimentimin e pakontrolluar.
Menjëherë pas shpalljes së marrëveshjes, Euro pësoi një rritje të dukshme në treg. Brenda dhjetë minutash Euro u rrit nga 1.3185 në 1.3266 kundrejt Dollarit.
Deklaratat
Kreu i FMN-së, Christine Lagarde, e përshëndeti marrëveshjen dhe theksoi se deri në fund të shkurtit, Greqia duhet të respektojë angazhimet e saj dhe të përfitojë nga progresi i madh që shënoi Eurogroup me vendimin e tij.
"Eurogroup është në dijeni të përpjekjeve të mëdha të bëra nga qytetarët grekë, por është e nevojshme puna e mëtejshme, për të kthyer në Greqi zhvillimin e qëndrueshëm", tha Presidenti i Eurogrup Jean-Claude Juncker, pas përfundimit të negociatave. Juncker tha gjithashtu se prania e Trojkës në Athinë do të forcohet, me qëllim që të mbikëqyrë zbatimin e programit, ashtu siç është rënë dakord.
Komisioneri i BE për Ekonominë Olli Rehn tha se "Plani grek bazohet në një kusht të rreptë: siguron mbikëqyrje të zgjeruar të Greqisë dhe imponimin e pranisë së përhershme të misionit të Komisionit Evropian në terren" Komisioneri theksoi rëndësinë e mbikqyrjes së përforcuar ndaj Greqisë dhe shtoi se Komisioni Europian do të dërgojë në Athinë një grup të fuqishëm ekspertësh që do të ofrojnë asistencë teknike në fusha të ndryshme..
Për një marrëveshje shumë të mirë foli Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Drago, i cili përshëndeti "angazhimin e qeverisë greke për të rikthyer rritjen ekonomike dhe stabilitetin" dhe "angazhimin e vendeve të tjera të eurozonës për të vazhduar mbështetjen e tyre në Greqi."
"Rezultat i mirë për Greqinë, tregjet dhe zonën euro", e përshkroi marrëveshjen Mario Monti, kryeministër dhe ministër i financave të Italisë.
"Zbatimi i marrëveshjes së kredisë së re dhe zbatimi i PSI, do të rrisë besimin dhe do të zvogëlojë pasigurinë që ndjejnë njerëzit, në lidhje me perspektivën e ekonomisë", tha kryeministri Lukas Papadhimos. Kryeministri raportoi për tri zhvillime pozitive që do të sillte miratimi i programit, që janë: përmirësimi i konkurrencës, përmirësimi i klimës ekonomike dhe politike, dhe shpëtimi i ekonomisë greke. Papadhimos vuri në dukje se javët e ardhshme dhe konkretisht deri në mesin e muajit mars, do të duhet të kryhen veprimet paraprake që nevojiten për zbatimin e programit të ri. Ai theksoi gjithashtu nevojën e rritjes së kompetivitetit të ekonomisë greke, që vendi të futet në mënyrë konstante në një kurs zhvillimi. Kryeministri grek nënvizoi se objektiv i qeverisë greke është të zbatojë me besnikëri programin e ri, dhe se vendi nuk ka më "luksin për vonesa" të tjera.
Ai sqaroi se marrëveshja duhet të ratifikohet në datën 15 mars në Parlamentin grek dhe vetëm pas kësaj mund të zhvillohen zgjedhjet politike në vend.
http://www.balkanweb.com/rajoni/2687/arrihet-marreveshja-greqia-merr-paketen-e-ndihmes-130-mld--euro--82134.html