Burime të ushtrisë izraelite i thanë BBC-së se katër raketa kishin rënë mbi territorin izraelit, por nuk kishte ndonjë të plagosur rëndë.
Izraelitët thanë se ishin kundërpërgjigjur duke qëlluar mbi territorin libanez.
Ky sulm me raketa pasoi njërën nga netët më intensive të ofensivës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës që ka hyrë në ditën e trembëdhjetë.
Ushtria izraelite tha se kishte kryer 60 sulme ajrore gjatë natës, disa prej të cilave kishin në objektiv tunelet në afëri të kufirit mes Egjiptit dhe Gazës.
Izraeli thotë se lëvizja militante palestineze, Hamas, i përdor këto tunele për të futur armë në Rripin e Gazës.
Burimet palestineze thanë se gjatë këtyre sulmeve ajrore ishte shkatërruar një xhami.
Vazhdojnë përpjekjet diplomatike
Presioni ndërkombëtar mbi Izraelin dhe Hamasin për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi po shtohet, ndërsa ofensiva izraelite në Gazë ka hyrë në ditën e trembëdhjetë.
Një zyrtar i lartë izraelit shkon të enjten në Kajro për t'u njohur me hollësitë e propozimit të Francës dhe Egjiptit për arritjen e një armëpushimi.
Ambasadori egjiptian në Kombet e Bashkuara, Maxhid Abdel Aziz tha se delegacione në nivel teknikësh nga Izraeli dhe Hamasi mund të mbërrijnë të enjten në Kajro, jo domosdoshmërisht për bisedime direkte mes tyre. Ai tha se vendet arabe nuk mund të prisnin derisa Këshilli i Sigurimit të miratonte ndonjë rezolutë, sepse situata në Rripin e Gazës ishte shumë urgjente.
Ndërkaq, korrespondentja e BBC-së, Laura Trevelyan, njofton se përpjekjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork për miratimin e një rezolute për situatën në Rripin e Gazës mbeten të bllokuara.
Ministrat e jashtëm të tre anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës, po qëndrojnë në Nju Jork për të ndihmuar përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje.
Më herët, sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice tha se kishte diskutuar me zyrtarët izraelite dhe qeveritë e vendeve arabe për një plan armëpushimi të propozuar nga Egjipti dhe Franca. Ajo tha se arritja e armëpushimit ishte e nevojshme, por palët nuk duhet të ktheheshin në situatën në prag të fillimit të ofensivës izraelite.
| Tiranë | 17 | °C | |
| Prishtinë | 12 | °C | |
| Ulqin | 16 | °C | |
| Shkup | 12 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | ||
| USD | ||
| GPB | ||
| CHF |