
TIRANË -Kryeministri Sali Berisha shprehu gjatë një takimi me diplomatin e shquar amerikan, zotin Frank Wisner, vlerësimin për punën e bërë nga kompania 'Patton Boggs' në procesin e përgatitjes së tenderit për privatizimin e Albpetrolit.
Berisha theksoi se procesi i vlerësimit të ofertave do të jetë plotësisht transparent dhe i bazuar në kriteret e përcaktuara.
Më pas në takim me Wisner, kryeministri gjithashtu vlerësoi heqjen e mbikëqyrjes mbi pavarësinë e Kosovës, të marrë pak ditë më parë, si një moment me rëndësi të jashtëzakonshme.
Kryeministri falenderoi zotin Wisner për kontributin e tij në procesin e pavarësisë së Kosovës dhe vlerësoi lart gjithashtu rolin dhe kontributin e Presidentit Ahtisari, duke theksuar se "roli i tij do të zërë një vend të veçantë në historinë e shqiptarëve".
Në takim u vlerësua fakti se tashmë Kosova është një shtet i konsoliduar, me institucione të cilat forcohen përditë. Kryeministri u shpreh se procesi i integrimit evropian të Kosovës do të jetë një shtysë e jashtëzakonshme për forcimin e saj si një shtet multietnik, që garanton të drejtat e qytetarëve të saj.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi nevojën për zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura në kuadër të procesit të negociatave në Bruksel si një kusht për të vazhduar më tej në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri e njohu zotin Wisner edhe me zhvillimet në Shqipëri, duke u ndalur në një numër reformash ligjore, ekonomike, në shëndetësi, arsim, etj., si pjesë e projektit të qeverisë shqiptare për një Shqipëri të zhvilluar dhe integrim në BE.
http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/privatizimi-i-albpetrol-berisha-procesi-i-vleresimit-te-ofertave-transparent-102518.html