
TIRANË-“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit janë të shkëlqyera, nuk ka probleme mes këtyre 2 vendeve dhe shpresojmë që të thellojmë bashkëpunimin edhe më tej, sidomos në fushat ekonomike”, bënë të ditur në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë, kryeparlamentarja e Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe homologu azerbajxhanas, Ogtay Asadov.Â
Topalli vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona ndërsa shtoi se projekti TAP është mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë. Sipas saj, do të rritet më tej bashkëpunimi me Azerbajxhanin në kuadër edhe të projekti për gazsjellësin TAP.
“Një ndër projektet më fizibël në këtë kontekst është Trans Adriatik Pipeline, i njohur si TAP, i cili parashikohet të përshkojë Shqipërinë në trajektoren e tij drejt Italisë dhe Europës dhe do të sjellë përfitime të jashtëzakonshme për tregun shqiptar, atë rajonal e më gjerë, tregun europian. Ne shqiptarët e shohim si një projekt shuam strategjik. Ndërtimi i kësaj vepre do të përbënte një arritje të jashtëzakonshme për rajonin, ndërsa familjet shqiptare, në rast se TAP përzgjidhet si projekti fitues, do të mund të përfitojnë nga ky burim shumë i rëndësishëm, i lirë dhe i vazhdueshëm energjie, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre”, theksoi Topalli në fjalën e saj.
Më pas fjalën e mori kryetari i parlamentit të Azerbajxhanit, Asadov duke theksuar dhe ai rëndësinë e projektit TAP.
“Mes 2 vendeve nuk ka asnjë problem, kemi marrdhënie shumë të mira, të shkëlqyera politike dhe në axhendën tonë është forcimi i marrëdhënieve ekonomike mes 2 vendeve. Sic tha dhe zonja Topalli, Azerbajxhani është i interesuar në projektin TAP dhe besojmë se ky projekt do gjejë zgjidhjen”.
Më tej, Asadov shprehu urimet e tij për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
http://www.balkanweb.com/shqiperi/2685/asadov-asnje-problem-mes-shqiperi-azerbajxhan--tap-interesi-yne-102725.html