JETA RINIS NORMALISHT NĖ PRISHTINĖ

JETA RINIS NORMALISHT NĖ PRISHTINĖ

Pas një ditë relativisht të ngrohtë që mbizotëroi në ditëlindjen e parë të pavarësisë së Kosovës, Prishtina u gdhi të mërkurën e mbuluar nga dëbora. 
Jeta ka nisur normalisht sot, pas një dite të etshme festimesh, e cila ka nxjerrë në rrugët e kryeqendrës së Kosovës disa mijëra njerëz që kanë kremtuar 17 shkurtin, ditën e pavarësisë. Vallet tradicionale, nën ritimin e daulleve, flamujt kombëtarë dhe ato të Kosovës, por edhe të SHBA-së dhe BE-së, kanë shoqëruar gjithë këtë ritual festimesh.
Qytetarë të të gjitha moshave kanë festuar deri në orët e mëngjesit të sotëm, ndërkohë që nuk është shënuar asnjë incident. Pas koncertit festiv në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, të rinjtë janë drejtuar në Pallatin e Sportit, ku grupi “Morandi” ka dhënë një shfaqje me pjesë nga repertori i tij. Kanë qenë të paktën rreth 5 mijë të rinj që kanë ndjekur koncertin e DJ Morandi dhe grupit të tij.
Sipas njoftimeve që bëri mëngjesin e sotëm policia e Kosovës, në të gjithë territorin e Republikës nuk është shënuar asnjë incident gjatë festimeve për ditën e shpalljes së pavarësisë.
Festimet janë zhvilluar qetazi në të gjithë qytetet kryesore, Gjakovë, Ferizaj, Prizren, Pejë, Dreçan, ndërkohë që nuk kanë qenë të pakët qytetarët që kanë preferuar të lënë qytetet e tyre dhe të festojnë në Prishtinë ditëlindjen e parë të shtetit të Kosovës. 
Të patën 450 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, të veshur me pelerinë që mbanin flamurin e Republikës së Kosovës, me mbishkrimin “Urime 1-vjetori i pavarësisë”, kanë manifestuar në këtë ditë të shënuar në qendrat e qyteteve dhe të fshatrave të Kosovës.
Por, edhe Filatelia e Kosovës… ka nxituar të përkujtojë këtë ditë përmes emëtimit të një pulle postare, pagëzuar me “Përvjetori i pavarësisë”, një pullë që shënon aktin historik-përpilimin e Deklaratës së Pavarësisë si dhe kurorëzimin e kësaj deklarate me valëvitjen e flamurit kombëtar.  
Mesditën e 17 shkurtit, dy kampionët në fuqi në futboll, Dinamo e Shqipërisë dhe Prishtina e Kosovës zhvilluan një ndeshje miqësore në stadiumin e Prishtinës, që përfundoi me barazim 1-1, dhe u ndoq falas nga të paktën 13 mijë vetë. 
Pjesë e festimeve ishte dhe një seancë solemne që u zhvillua në Kuvendin e Kosvës, nga ku Presidenti i Republikës Fatmir Sejdiu, Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe Kryeministri Hashim Thaçi uruan qytetarët për ditën e pavarësisë.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek