SHQIPĖRIA NJĖ VEND TĖRHEQĖS PĖR INVESTITORĖT SLLOVENE

SHQIPĖRIA NJĖ VEND TĖRHEQĖS PĖR INVESTITORĖT SLLOVENE

 Vizita që Presidenti slloven, Danilo Turk, po zhvillon në Shqipëri, përvçse një rast i mirë për të diskutuar rreth thellimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik, do të jetë një rast i mirë dhe për çështjet ekonomike.
Një grup prej 30 biznesmenësh nga Sllovenia, një vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, shoqërojnë Presidentin Turk në këtë vizitë. Së bashku me përfaqësues të biznesit shqiptar ata do të mblidhen sot pasdreke në një forum në Hotel "Adriatik" në Durrës, ku dhe do të diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit midis tyre.
Biznesi slloven është i pranishëm në Shqipëri, ku veçohet kompania SCT, e cila po kryen punimet në autostradën Durrës- Kukës, në lotin Milot- Skurraj, 9 km i gjatë.
Vite më parë marrëdhëniet e Shqipërisë me Slloveninë ishin thjesht formale. Ambasadori i Shqipërisë në Austri shërbente si pikë kontakti për lidhjet e shtetit slloven me atë shqiptar. Por për rreth 12 mijë shqiptarë që jetojnë në Slloveni, hyrja e shtetit mikpritës në BE dhe një numër jo i vogël investimesh sllovene në tregun shqiptar, bënë që mes dy vendeve të vendoseshin marrëdhënie në nivel ambasadorësh, një hap më shumë në marrëdhëniet mes tyre, por dhe një shenjë se shtetet e rajonit kanë ura të forta komunikimi.
Përsa i përket marrëdhënieve politike mes Shqipërisë dhe Slloveninë, niveli është shumë i mirë dhe këtë e tregon vizita e presidentit slloven në Tiranë. Edhe në fushën e diplomacisë bashkëpunimi konsiderohet shumë i mirë. Rihapja e ambasadës shqiptare në Lubjanë është shprehje e vullnetit të qeverisë shqiptare për të bashkërenduar bashkëpunimin diplomatik, ekonomik, politik me shtetin sllloven pasi Shqipëria e shikon Slloveninë si një partner ekonomik, por gjithashtu edhe politik në rajonin e Ballkanit, por dhe si urë lidhëse në kuadrin e integrimeve Euroatalntike.
Ratifikimi i protokollit të anëtarësimit në NATO me unanimitet nga Asambleja kombëtare e Sllovenisë është shprehje e vullnetit të saj për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në NATO.
“Vitin e kaluar u nënshkrua edhe marrëveshja që do të kontribuojë në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve  dhe mendojmë që të promovohet më shumë prodhimi shqiptar në Slloveni, në mënyrë që të rriten eksportet e Shqipërisë në drejtim të Sllovenisë”, shprehet Ambasadori shqiptar në Slloveni, Sandër Kovaçi.
Lidhur me liberalizimin e vizave Sllovenia ka përdorur presidencën e saj të BE-së gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2008, për të thelluar më tej proçesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe në këtë kuadër të Shqipërisë në BE. Gjatë  presidencës sllovene u thellua më tej marrëveshja për liberalizimin e vizave, ku disa grupeve u është  lehtësuar shumë marrja e vizës në Shqipëri, dhe këtu përfshihen gazetarët, biznesi, etj.

12 mijë shqiptarë në Slloveni

Të paktën 12 mijë shqiptarë, kryesisht nga Kosova, llogaritet të jetojnë në Republikën e Sllovenisë, një vend bregdetar pranë alpeve në Europën Jugore, që i ka kaluar të gjithë hapat e integrimit. 
Në kryeqytetin e Sllovenisë, Lubljanë, ka disa organizata shqiptare si "Migjeni", "Iliria", por siç thekson Ambasadori Kovaçi, nevojitet  rivitalizim i aktivitetit të tyre dhe një ridimensionim i objektivave, tani pas fitores së pavarësisë së Kosovës. 
“Një problem mbetet ruajtja e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare, veçanërisht në radhët e fëmijëve dhe të rinjve që kanë lindur në Slloveni”, shprehet Ambasadori Kovaçi, ndërsa nënvizon se në këtë kuadër ambasada ka synimet dhe programin e vet, organizimin e panaireve për librin shqip si dhe sigurimin e mësuesve të kualifikuar për të organanizuar këto kurse.
Në fakt mësohet se ka disa kurse të gjuhës shqipe dhe një botim në shqip i revistës "Alternativa" nga Shoqata "Migjeni", me financim të qeverisë së Sllovenisë. Gjithsesi mbetet të bëhet më shumë në këtë drejtim.

     Rreth Sllovenisë

Republika e Sllovenisë ndodhet në pjesën juglindore të Evropës. Ajo ka një sipërfaqe prej afro 20 256 km2 dhe në të jetojnë më shumë se 1,95 milion banorë. Në perëndim kufizohet me Italinë, detin Adriatik, në jug -perëndim të saj ndodhet Kroacia, ndërsa Hungaria në lindje-perëndim dhe Austria në veri.
Më e zhvilluar në këtë shtet është industria e letrës dhe e metaleve të ngjyrosura. Sllovenët erdhën në këto pjesë diku pas gjysmës së dytë të shekullit VI apo VII. 
Qendër e tyre në fillim ishte hapësira që në gjermanisht quhet Bërthama (Kern), ku dhe krijuan një lloj principate, e cila nga shekulli i XIII-të i bashkohet parisë austriake të quajtur Habsbug. Më 1918 sllovenët bashkohen me popujt e sapo krijuar, serbët e kroatët dhe shpallin Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene. Nga 1929 shtetin e krijuar e thërrasin Jugosllavia.
Më 1945, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Sllovenia së bashku me 5 republikat e tjera ishte një ndër themelueset e Shtetit të Ri të quajtur Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, anëtare e të cilit mbeti deri në shkatërrimin e tij. Tani Sllovenia është anëtare e Bashkësisë Evropiane dhe anëtare e NATO-s


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek