Bordi i Përbashkët Koordinues për
Sundimin e Ligjit vlerësoi sot shtrirjen e autoritetit të EULEX-it
gjithnjë e më shumë në tërë Kosovën.
"Gjithnjë e
më shumë autoriteti i EULEX-it po shtrihet në territorin e Kosovës dhe
po bëhet më funksional dhe operativ, që është dhe strategjia e këtij
bordi", theksoi zëvendëskryeministri i vendit, Hajredin Kuçi.
"Tani
kemi personel ndërkombëtar prej më shumë se 1600 personave dhe personel
vendor prej afro 800 personash në të gjithë Kosovën dhe në
vazhdueshmëri po ndërtojmë praninë dhe duke i thelluar aktivitetet",
theksoi shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon.
Përfaqësuesit
e qeverisë së Kosovës, EULEX-it dhe institucioneve të sundimit të
ligjit u takuan sot në Prishtinë për të zhvilluar mbledhjen e shtatë të
Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit.
Kryetari
i Gjykatës Supreme, Rexhep Haxhimusa dha një përmbledhje lidhur
me reformat në drejtësinë e Kosovës, duke i theksuar sfidat me të cilat
po përballet drejtësia, sidomos në numrin proporcionalisht të vogël të
gjykatësve dhe prokurorëve që janë pjesë e Drejtësisë së Kosovës.
Zëvendëskryeministri
Kuçi theksoi se qeveria e Kosovës është e përkushtuar të mbështesë dhe
të rrisë efikasitetin e sistemit gjyqësor, por duke respektuar dhe
ruajtur pavarësinë e institucioneve gjyqësore.
Në takim u diskutua edhe procesi i sapofilluar i shqyrtimit të gjykatësve dhe prokurorëve.
Bordi
doli në përfundimin se është shumë e rëndësishme që personat të cilët i
përmbushin kriteret të emërohen sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Bordi
vendosi që në mbledhjen e ardhshme ministri i Ekonomisë dhe Financave,
Ahmet Shala dhe zëvendësshefi i EULEX-it, Roy Reeve, të paraqesin një
projektpropozim për ligjin kundër pastrimit të parave.
ShtypiDites