KOREJA E VERIUT DEKLARON SE PO PĖRGATITET TĖ LĖSHOJĖ NJĖ SATELIT

KOREJA E VERIUT DEKLARON SE PO PĖRGATITET TĖ LĖSHOJĖ NJĖ SATELIT

Koreja e Veriut deklaroi sot se po përgatitet të lëshojë një satelit me një nga raketat e saj, që analistët theksojnë se mund të jetë në fakt provë e
raketës së saj me rreze të gjatë veprimi.
Deklarata, që tronditi tregjet financiare në Korenë e Jugut, u bë pas disa javësh retorike të ashpër të Phenianit, që kishte si objektiv qeverinë konservatore të Seulit dhe paralajmërimeve se gadishulli korean ishte në prag të luftës.
Analistët theksojnë se Pheniani po përdor politikën e lojës së zjarrit për t'i bërë presion qeverisë së re amerikane dhe aleatëve të saj kryesorë në rajon, Koresë së Jugut dhe Japonisë, për të përmbysur politikat e ashpra kundër Koresë së Veriut. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e cila ndodhej në vizitë në Azi javën e shkuar, e paralajmëroi Korenë e Veriut kundër çdo lëvizjeje provokuese.
"Përgatitjet për lëshimin e një sateliti eksperimental komunikimi ... po përparojnë me  shpejtësi", njoftoi agjencia e lajmeve KCNA.
"Kur lëshimi i këtij sateliti të jetë i suksesshëm, shkenca hapësinore dhe teknologjia e vendit do të bëjnë një hap tjetër gjigant drejt ndërtimit të një ekonomie të fuqishme", njoftoi agjencia.    
Zyrtarët e qeverisë në Seul dhe Tokio deklaruan se po vëzhgojnë nga afër zhvillimet në shtetin e izoluar. Ekspertët e sigurisë kanë deklaruar se lëshimi i satelitit mund të ndodh brenda disa ditëve apo javëve.
Koreja e Veriut tronditi rajonin kur lëshoi një raketë në drejtim të Japonisë në vitin 1998, duke theksuar se kishte lëshuar një satelit.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek