OBAMA: DO TË BËJ "GJITHÇKA TË NEVOJSHME" PËR TË FORCUAR EKONOMINË

OBAMA:  DO TË BËJ

 Presidenti Barak Obama premtoi sot se do të bënte "gjithçka të nevojshme" për të forcuar ekonominë dhe paralajmëroi se vendin e prisnin  zgjedhje të vështira përpara.  
Obama, që ka parashtruar një sërë propozimesh për kapërcimin e krizës ekonomike që pas marrjes së detyrës më 20 janar, shprehu besimin se këto iniciativa do të funksiononin, edhe pse shifrat e papunësisë po rriten dhe tabloja ekonomike po përkeqësohet. 
"Që nga dita që mora detyrën, e dija se zgjidhja e kësaj krize nuk do të ishte e lehtë, dhe as nuk do të bëhej brenda natës, ne do të vazhdojmë të përballemi me ditë të vështira në muajt e ardhshëm", tha ai gjatë fjalimit të tij të përjavshëm në radio. 
"Administrata ime është e angazhuar të bëjë gjithçka të nevojshme për ta kapërcyer këtë krizë dhe për të na çuar drejt ditëve më të mira".
Obama një gjë e bëri të qartë, se vendi ka nevojë për një reformë në sistemin shëndetësor, duke u shprehur se procesi do të ndihmojë për reduktimin e defiçitit  masiv buxhetor dhe do të nxisë rritjen ekonomike. 
Shtëpia e Bardhë organizoi një samit të enjten për të nisur procesin për uljen e kostos së kujdesit shëndetësor dhe zgjerimin e mbulimit me siguracion të amerikanëve të pasiguruar. Kostoja e kujdesit shëndetësor është rritur në 2.5 trilionë dollarë në vit, ndërsa radhët e personave të pasiguruar janë shtuar në 46 milionë persona.  
Buxheti i Obamës, i bërë publik muajin e kaluar, përfshin një fond rezervë prej 634 miliardë dollarësh për dhjetë vjet për të ndihmuar reformat në sistemin e kujdesit shëndetësor. 
Në fjalimin e tij në radio, Obama i lidhi procedurat e buxhetit të administratës së mëparshme me qëndrimin e pamëshirshëm të Wall Street, që ndihmoi në shkaktimin e krizës financiare dhe ekonomike. 
"Ne kemi trashëguar një proces buxheti po aq të papërgjegjshëm sa edhe të paqëndrueshëm. Për vite të tëra, ndërsa Wall Street përdorte marifete financiare për të fshehur kostot dhe për të shmangur përgjegjësinë, po kështu ka bërë edhe Uashingtoni", tha ai.  
"Këto lloj buxhetesh të papërgjegjshme dhe praktikash të pafalshme  i përkasin tashmë të shkuarës"


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek