Një punonjës i
doganës së Kakavijës në Gjirokastër u arrestua në orët e vona të ditës
së djeshme, pasi akuzohet të këtë ndihmuar një tregtar të televizorëve
në kontrabandën e mallrave. Në prangat e policisës se sektorit kundër
krimit financiar në drejtorinë e policisë së Gjirokastrës ka rënë dhe
tregtari, i cili në momentin e ndalimit në aksin rrugor Gjirokastër-
Tepelenë u prezantua si oficer i policisë së krimit ekonomik në Tiranë.
Tregtari
Pëllumb Kaziu, 39 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë
për vjedhje me armë dhe Agron Basha, 43 vjeç, lindur dhe banues në
Lazarat (Gjirokastër), me detyrë doganier në Kakavijë, akuzohen për
veprën penale kontrabandë me mallra të tjerë, përvetësim i detyrës
shtetërore dhe shpërdorim detyre”, thanë për ATSH-në burime zyrtare të
policisë lokale.
Mbrëmjen e kaluar tregtari Kaziu ka hyrë nga
Greqia në pikën e Kakavijës me automjetin tip “Mitsubishi”, me targë TR
37 37 P, me të cilin transportonte 16 televizorë Plazma, 6 prej të
cilëve ishin 32 polsh dhe 10 të tjerët 40 polsh. Për këtë mall ai
nuk kishte paguar asnjë detyrim në doganën shqiptare të Kakavijës dhe
nga veprimet hetimore rezulton se në detyrë për kontrollin fizik ka
qenë doganieri Agron Basha.
Në momentin e ndalimit tregtari u
prezantua si oficer i policisë së krimit ekonomik në Tiranë dhe në
automjetin e tij u gjet një fenelinë me ngjyrë blu, e ndezur mbi
kabinë, dhe një tabelë e policisë rrugore”, shtuan burimet e policisë.
ShtypiDites