Erion
Veliaj, ditën e hënë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ku u
debatua për çështjen “Pango" shprehu pikëpamjen se edhe pse përgjimi
është dhunim i privatësisë nga ana ligjore, ai (Erioni), kur është
fjala për interesa publike, e pranon këtë shkelje të ligjit, se siç tha
Erioni, me një buzëqeshje ironike, një frazë të manualeve sorosiane të
imazhit: “Po nuk shkele ligjin, nuk merr Çmimin Pulitzer”.
Edhe unë jam me pikëpamjen e politikanit të ri Veliaj dhe shpresoj që
Erioni ta shikojë në këtë sens edhe një investigim të pritshëm për atë,
se cili është fëmija ilegal që ka në Shqipëri Presidenti aktual
iranian, Ahmadinejad. Në website të opozitës iraniane jashtë vendit,
është dhënë lajmi se Presidenti Ahmadinejad, i cili e ka vizituar
Shqipërinë në kohën e regjimit komunist, në vitin 1979, pas
Revolucionit Islamik në Iran, ka në Shqipëri një fëmijë ilegal që është
bërë një figurë e shquar politike në Shqipëri.
Sa
e vërtetë është kjo gjë nuk dihet, por duhet investiguar. Të dhënat e
websiteve të opozitës iraniane jashtë vendit, duhen marrë po aq të
vërteta sa ç’ u morën të dhënat e disa websiteve të huaja në rastin e
Damir Fazlliç, i cili mbi bazën e të dhënave me një prejardhje të tillë
u shpall serbo-boshnjak dhe nipi i ish- shefit të shërbimit sekret të
Serbisë, Stanisiç. Pra, precedenti ekziston dhe duhet ndjekur edhe në
rastin e websiteve iraniane.
Të dhënat që jepen në websitet e
opozitës iraniane nuk duken apriori të pabesueshme se dihet se regjimi
komunist shqiptar kishte marrëdhënie të mira me regjimin islamik që
erdhi në fuqi në Iran pas revolucionit të vitit 1979. Në këtë kuadër
midis Shqipërisë dhe Iranit ka pasur shkëmbime të dendura delegacionesh
të ndërsjella. Në këtë kuadër, edhe Presidenti i tashëm iranian,
Ahmadinexhad ka vizituar Shqipërinë në vitin 1979, sipas atyre që
thuhen në muajin mars. Ahmadinexhad ka qenë në qytete të ndryshme të
Shqipërisë, në Tiranë, Durrës, Berat. Ai sipas të dhënave ka kryer në
Shqipëri dhe stërvitje ushtarake, siç bënin shumë të huaj në Shqipëri
në atë kohë. Gjëja e veçantë në rastin e Ahmadinexhad është se ai ka
qenë stërvitur edhe nga një oficere shqiptare femër. Nuk mund të mos
ndihet krenar njeriu gjithsesi, kur një femër shqiptare ka stërvitur
një njeri si Ahmedinexhad, i cili pavarësisht nga të tjerat, nuk mund
të mohohet se është një burrë trim. Kjo femër shqiptare të shëmbëllen
me një amazonë, një Shqiponjë.
Sigurisht që ekzistenca e një
fëmije të Presidentit iranian në Shqipëri, është një gjë që e
justifikon një investigim, duke dhunuar dhe privatësinë e këtij
iraniano-shqiptari enigmatik, aq më tepër që supozohet që ai të jetë
dhe një figurë e njohur politike në Shqipëri. Në botë investigime të
tilla janë të njohura dhe janë bërë deri edhe ndaj personaliteteve të
tilla politike si Tony Blair, për të cilin u zbulua se nuk ishte i biri
natyral i prindërve të tij, porse ata e kishin gjetur pasi qe braktisur
nga prindërit e tij natyralë, një çift aktorësh shëtitës. Blair më pas
e pranoi edhe vetë këtë gjë. Pse të mos e ndiqte shembullin e tij edhe
politikani misterioz shqiptar, aq më tepër që tash Ahmadinexhad po jep
shenja se kërkon të bashkëpunojë me Perëndimin dhe veçanërisht me SHBA.
Për të filluar investigimin, unë kam siguruar një libër për
Ahmadinexhadin të botuar në Britaninë e Madhe, ku ka shumë fotografi të
kohës së rinisë të Ahmedinaxhadit, kur ai qe 30 vjeç, aq sa ç’ është
sot djali i tij i supozuar në Shqipëri. Në investigimin tim unë do të
veproj si një dishepull i Erion Veliajt, duke dhunuar privatësinë për
interesa publike. Metoda që kam zgjedhur është që të krahasoj
fotografinë e politikanëve të rinj shqiptarë, të moshës 30 vjeç, me atë
të Presidentit Ahmadinexhad. Më pas do t’ ia le publikut të gjykojë se
kush është i biri i Ahmadinexhad. Ai politikan që do të rezultojë se i
ngjan Ahmadinexhadit, ka të drejtën që të japë shpjegime para se të
bëhen deduksione të mëtejshme, mbi bazën e fakteve që nuk është vendi
të përmenden në këtë shkrim. Kjo metodë nuk është më pak e vlefshme sa
edhe përgjimi i “Fiks fare”, madje është më serioze, se ngjashmëria
fotografike mund të trukohet, ashtu si audioregjistrimet, derisa është
fjala për krahasimin e fotografie që gjendet në një libër të botuar nga
një shtëpi botuese shume serioze në Britaninë e Madhe ku Erion Veliaj
pretendon se ka marrë një master (apo mos duhet të themi është bërë
master) dhe fotografisë së një personi që është aktiv në politikën
shqiptare sot.
E mira do të ishte që në këtë investigim të
angazhohej dhe Erion Veliaj se ai, me lidhjet që ka jashtë vendit, ku
prezantohet veç të tjerave edhe si gazetar, mund të fitojë Çmimin
“Pulitzer”. Unë, me një altruizëm të sinqertë profesional, do t’ ia
kaloja të gjitha të dhënat që kam, në mënyrë që ai ta vazhdonte
investigimin. Se ku dihet, mund të ndodhë që djali ilegal i
Ahmadinexhad të jetë në partinë e Berishës, dhe kjo do ta rritë shumë
kreditin e Erion Veliajt tek e majta.
Por, përtej ironisë, tash që
jemi me përshtypjet e emisioneve të Aida Shtinos dhe Rudina
Magjistarit, ku ka pasur edhe disa raste ku janë takuar fëmijë me
baballarët e tyre që nuk i njihnin, nuk është çudi që kulmi i këtyre
emisioneve të jetë takimi i një politikani shqiptar me Presidentin
iranian. Sigurisht që Presidenti iranian, i cili në atë kohë ishte një
djalë i ri, nuk ka pse të ketë ndonjë embarracim për këtë aventurë
rinore, se gjëra të tilla ndodhin në këtë moshë në çdo vend të botës.
Kjo histori nuk e cënon dinjitetin e tij. Përndryshe kjo histori
ndoshta cënon reputacionin e djalit të tij shqiptar, por supozohet që
ai të jetë aq i emancipuar nga paragjykimet, sa të krijojë një standard
të ri emancipimi në shoqërinë shqiptare.
Kastriot Myftaraj - Gazeta SOT