Pas një viti hetimesh, Prokuroria e
Përgjithshme dërgoi sot çështjen "Gërdeci" për shqyrtim në Gjykatën
e Lartë, me 29 persona të marrë nën përgjegjësi penale.
Lajmi
është konfirmuar për ATSH nga burime zyrtare të Prokurorisë së
Përgjithshme, të cilat pohuan se, me përfundimin e hetimit, materiali
hetimor i çështjes është dërguar për shqyrtim gjyqësor, me 29 persona
të marrë me cilësinë e të pandehurit nga Prokuroria si dhe është vënë
nën akuzë si subjekt juridik firma "Alba -Demil". Prokuroria e
Përgjithshme konfirmoi po ashtu se, hetimi i çështjes përfundoi
brenda afateve hetimore.
Pjesa më e madhe e të
pandehurve janë ish -funksionarë të ministrisë së Mbrojtjes dhe
Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ndër të cilët edhe
ish- ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, të
akuzuar për "shpërdorim detyre" në bashkëpunim.
Nga
29 të akuzuarit e çështjes, vetëm 4 prej tyre janë arrestuar dhe
aktualisht ndodhen në paraburgimin e Tiranës, të akuzuar ndër të
tjera për vrasje të më shumë se një personi. Të tjerët janë hetuar në
liri nga prokuroria.
Pak ditë më parë të gjithë
të pandehurit e procesit firmosën mbylljen e hetimit, ndërkohë që,
mësohet se kanë mbajtur qëndrim mohues për akuzat e ngritura ndaj tyre
nga Prokuroria.
Hetimet për këtë
çështje nisën më 15 mars të 2008, kur, si pasojë e një shpërthimi në
ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec,
rreth 20 km larg Tiranës, humbën jetën 26 persona, shumë të tjerë u
plagosën, ndërsa u shkaktuan dëme të mëdha materiale
ShtypiDites