BE-ja E KA RUAJTUR NJĖ VEND PĖR BALLKANIN

 BE-ja E KA RUAJTUR NJĖ VEND PĖR BALLKANIN

BE-ja siguroi sot vendet e Ballkanit se do të hyjnë një ditë, siç është premtuar, në bllokun evropian, por vështirësitë e ratifikimit të Traktatit të Lisbonës, që u ritheksuan nga kriza politike çeke, mund ta vonojnë pranimin e tyre. 
"Ndodhem këtu për t'ju shpjeguar miqve të mi të Evropës Perëndimore se Ballkani është një pjesë e Evropës, pra edhe ata do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian", deklaroi ministri çek i Punëve të Jashtme, Karel Schwarzenberg, vendi i të cilit kryeson BE-në , pas mbërritjes së tij në takimin me homologët e tij të BE-së dhe Ballkanit në jug të Republikës çeke. 
Ndërsa vendet e Lindjes mbeten mbështetës të mëdhenj të Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnjës dhe Serbisë, disa vende të "Evropës plakë" po ngurrojnë gjithmonë e më shumë për të vazhduar zgjerimin e BE-së, që ka kaluar tashmë nga 15 në 27 anëtarë që prej 2004-s. 
Kancelarja gjermane ka mbrojtur, madje, së fundmi "një pauzë" pas pranimit të Kroacisë, që shpreson të hyjë në 2010-n ose 2011-n. 
"Ne kemi provuar se BE-ja duhet ta mësojë mirë historinë e saj, dhe historia e saj tregon se të jesh më i madh të bën më të fortë", u kundërpërgjigj sot shefi i diplomacisë britanike, David Miliband.
"Gjëja më e mirë që i ka ndodhur BE-së në këto 10 vitet e fundit ka qenë zgjerimi në 2004-n  me 10 vende të reja dhe këtë duhet ta ruajmë mirë në kokë", përforcoi finlandezi Alexander Stubb.
Por si një numër kolegësh të tij, ai e pranoi se nëse traktati i Lisbonës nuk hynte në fuqi, siç pritej në 2010-n, kjo do ta bënte zgjerimin e Ballkanit "pak më të vështirë".  
E ardhmja e këtij traktati, që mendohet se do të lehtësojë pikërisht funksionimin e Evropës së zgjeruar, duke e pajisur veçanërisht me një presidencë stabël, është pezulluar me ratifikimin e saj të pasigurtë në Irlandë si dhe në Republikn çeke, ku rënia e qeverisë e bëri këtë ratifikim edhe më problematik.
"Pozicionet ndahen kur është fjala për të ditur nëse traktati mund të ketë ose jo një impakt mbi zgjerimin. Shumica e vendeve thonë se jo, por disa vende thonë se përpara hyrjes në fuqi të Lisbonës, nuk mund të ecim përpara", përmblodhi ministri estonez, Urmas Paet.
Francezi Bernard Kouchner u angazhua në kategorinë e dytë. "Ne shpresojmë që traktati i Lisbonës të pranohet përpara fundit të vitit, përndryshe nuk do të ketë mundësi zgjerimi", deklaroi ai. 
"Vendet e Ballkanit  duhet të kenë të gjitha akses në BE, pasi janë në Evropë. Tani se me çfarë modalitetesh, me çfarë ritmi dhe me çfarë marrëveshjesh politike paraprake, kjo përbën problem", shtoi  Kouchner.
Ndërsa BE po kalon një krizë të rëndë ekonomike, "po bëhet gjithmonë e më pak popullore të thuhet se Evropa do të zgjerohet", veçanërisht nga vende  që "kontribuojnë fort" në buxhetin evropian, si për shembull Gjermania, shtoi ai. 
Të ngadalësohet zgjerimi për shkak të kësaj krize "do të ishte një gabim, sepse kriza duhet konsideruar si një motivim  për të përshpejtuar procesin", u përgjigj megjithatë ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Antonio Miloshoski.
Kjo krizë interpretohet me mënyra të ndryshme sipas vendeve, e pranoi belgu Karel De Gucht: qoftë si një "faktor ngadalësimi", qoftë si një arsye për ta bërë "më urgjente" pranimin e tyre për të "zgjidhur së bashku problemet tona të përbashkëta". 
Cilido qoftë evoluimi i krizës dhe traktatit të Lisbonës, evropianët i kujtuan Ballkanit reformat që duhet të përmbushë. 
"Duhet që ata të arrijnë rezultate dhe pastaj ne të japim ato çfarë kemi premtuar", vlerësoi ministri holandez, Maxime Verhagen


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek